Ministri Vitia vizitoi Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji, gjatë këtij viti janë shtuar kërkesat e qytetarëve për të marrë shërbime

Publication Image

Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia në kuadër të vizitave në klinikat e ndryshme në QKUK, ka vizituar Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji.
Nga drejtoresha e kësaj klinike, Dr Fitore Komoni, Ministri Vitia u njoftua se në Klinikën e Gastroenterologjisë me Hepatologji janë shtuar kërkesat e qytetarëve për të marrë shërbime. Sipas raportit të punës, përgjatë 6 mujave të parë të këtij viti, janë realizuar 1 mijë e 33 gastroskopi dhe 709 kolonoskopi.
Ministri Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë mbetet e angazhuar që të krijojë parakushte sa më të favorshme për qytetarët që marrin shërbime në institucionet publike. Ai kërkoi nga stafi udhëheqës që t’i adresojnë të gjitha kërkesat të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, sidomos në rastet kur kërkesat për diagnostikim dhe trajtim të pacientëve janë më të shpeshta.