Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Konferenca për media lidhur me Covid-19

Faleminderit për gatishmërinë tuaj të përhershme që të merrni pjesë në konferencat tona dhe në përcjelljen e aktiviteteve kundër pandemisë Covid-19, në një kohë kur zëri juaj, është po aq i rëndësishëm sa edhe kujdesi i profesionistëve shëndetësor ndaj pacientëve me këtë sëmundje.

Në intervalin kohor midis takimeve tona, ne kemi vazhduar të ju mbajmë të informuar për të gjitha zhvillimet dhe aktivitetet rreth Covid-19 dhe të ndajmë me ju në baza ditore informatat rreth numrit të infektuarve, numrit të shëruarve, numrit të të vdekurve dhe karakteristikave të tjera të kësaj sfide shumë serioze.

Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë resurset e reja të rekrutuara (200 profesionistë)  në funksion të menaxhimit të Covid-19 në QKUK dhe në Spitalet e Përgjithshme, ka përkrahur SHSKUK-në në ngritjen e kapaciteteve të reja spitalore, me qëllim të përballimit të fluksit të pacientëve që kanë nevojë për tretman spitalor, ka hapur procesin e licencimit të institucioneve private shëndetësore për testime serologjike dhe deri tash ka pranuar me dhjetëra aplikacione për licencim të cilat do të shqyrtohen sa më parë nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetësore.

Gjithashtu, jemi në proces edhe të procedurave për sigurimin e pajisjeve të nevojshme për decentralizimin e testimeve molekulare (PCR) edhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike.

Me qëllim që të kemi një vendimmarrje të bazuar në fakte dhe dëshmi, unë kam emëruar javën e kaluar Bordin Këshillëdhënës për Covid-19, me emra dhe doajenë të njohur të shkencës së mjekësisë dhe fushave të tjera,  dhe kam filluar të pranojë nga ta këshillat e para rreth hapave që do të propozohet të ndërmerren në të ardhmen bashkë me arsyetimet pse.

Vendimet e reja që merr MSh dhe Qeveria për Covid-19 do të bazohen në këshillat nga ky Bord dhe institucionet relevante.

Nga ajo që kemi parë së fundi, ka një lëvizje pozitive sa i përket vetdjësimit të qytetarëve për bartja të maskave mbrojtëse, por ne kemi ende nevojë që të punojmë më shumë më këtë aspekt dhe të vetdijesojmë popullatën për mbajtjen e distancës sociale e fizike dhe të rrisim nivelin e higjienës individuale e kolektive.

Zëvendëskryeministri Tahiri është sot këtu me ne për të ndarë një informacion të rëndësishëm me ne që ka ndikim pikërisht në fuqizimin e masave mbrojtëse, si për profesionistët shëndetësor, ashtu edhe për qytetarët, me që, gjatë uikendit ka arritur në Kosovë një donacion shume i vlefshëm nga shteti i Jordanisë me 500 000 maska mbrojtëse, veshje për personelin shëndetësor, dezinfektues dhe pajisje të tjera, të cilat do të ndahen me institucionet shëndetësore dhe komunat, sipas një plani të shpërndarjes që kemi bërë në proporcion me numrin e banorëve dhe me qytetarët gjithashtu. Shprehim falënderimin tonë për shtetin e Jordanisë dhe donatorët e tjerë, të cilët përmes kontributeve të tyre, po ndikojnë që krahas furnizimeve vetanake, të kemi një qëndrueshmëri në furnizimet e domosdoshme për personalin shëndetësor dhe shërbimet e tjera.

Nga kjo konferencë, tërheqim vërejtjen se mos respektimi në masën e duhur i masave vazhdon të përbëjë rrezik të drejtpërdrejt për shëndetin publik.

Turizmi i fundjavës në vende tjera dhe kthimi i qytetarëve nga vendet e vizituara, tubimet si protestat e ndryshme, ngjarjet sportive pa respektim të masave mbrojtëse dhe aktivitete të tjera po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të rasteve të Covid-19, dhe për pasojë po shkaktojnë ngarkesën e spitaleve dhe profesionistëve shëndetësor.

I bëjmë thirrje popullatës dhe bizneseve që të shpreh durimin e nevojshëm dhe të respektojnë masat, sepse ndryshe, veprimtaritë aktive nuk do të kenë kuptim nëse popullata shkon duke u infektuar edhe më shumë dhe njerëzit duke vdekur.

Nuk jemi për mbyllje, por jemi për hapje të kontrolluar dhe me zbatim të masave. Vetëm kështu mund të vendosim ekuilibër midis shëndetit e ekonomisë dhe sektorët ta ndihmojnë njëri-tjetrin.

Në vijim fjala për Zëvendëskryeministrin Tahiri, e pastaj profesori na komunikon rezultatet për Covid-19.


27/07/2020

Ora:15:00

 153 TË SHËRUAR DHE 276 RASTE ME COVID-19!

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me  metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 404 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë  276 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 7.413 raste nga 34.720 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 185 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 153 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.027 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.201.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 61 raste, komuna Gjilan 29 raste, komuna Podujevë 23 raste, komuna Gjakovë 22 raste, komuna Vushtrri 22 raste, komuna Prizren 20 raste, komuna Mitrovicë 14 raste, komuna Skenderaj 10 raste, komuna Viti 9 raste, komuna Pejë 7 raste, komuna Fushë Kosovë 7 raste, komuna Rahovec 6 raste, komuna Kamenicë 6 raste, komuna Dragash 5 raste, komuna Malishevë 5 raste,  komuna Ferizaj 5 raste, komuna Drenas 4 raste, komuna Klinë 4 raste, komuna Lipjan 4 raste, komuna Suharekë 3 raste, komuna Deçan 3 raste, komuna Obiliq 2 raste, komuna Zubin Potok 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Shtime, Graçanicë dhe Kaçanik.

Të nderuar qytetarë!

Virusi është kudo! Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Virusi vret!

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!

Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!

Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!

Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!

NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim!

————————————————————————————

Raporti i datës 27 Korrik 2020 SHSKUK