Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Adresimi i Ministrit Arben Vitia para mediave, për masat e reja për Covid-19

Dua të filloj me një falënderim për punëtorët shëndetësorë, policët dhe inspektorët si dhe të gjithë ata që janë në vijën e parë të frontit duke u përballur me COVID-19, ne u detyrohemi shumë e do të keni mbështetjen time dhe të gjitha institucioneve pa rezervë.

Para 15 dite prezantuam masat e reja të cilat erdhën si rezultat i rritjes së numrit të infektimeve. Masat ishin më të rënda sepse gjendja ishte më e rënduar, por falë bashkëpunimit tuaj kemi bërë të mundur që mesataren e infektimeve ditore ta sjellim nga 27% sa e kishim para disa javëve në 3%. Për herë të parë për tri ditë radhazi numri i të shëruarve tejkalon numrin e të infektuarve. Ky është një progres i rëndësishëm dhe si rezultat sot jemi në gjendje që të lehtësojmë pak masat.

Unë dua të falënderoj të gjithë qytetarët për respektimin e udhëzimeve dhe rregullave. Në këto ditë kemi treguar se përkundër dallimeve që kemi dhe pengesave që na dalin, teknike e politike, ligjore e njerëzore, ne mund të bëhemi bashkë kur përballemi me rrezikun e përbashkët.

Gjatë këtyre ditëve ne kemi punuar pa u ndalur që të gjejmë dhe testojmë personat e infektuar; kemi testuar të prekurit e mundshëm; kemi izoluar ata që janë prekur; po trajtojmë intensivisht për t’u shpëtuar jetën atyre që po luftojnë me virusin dhe kështu po kontrollojmë përhapjen e ngadalësuar të virusit me qëllim zhdukjen e tij.

Do të kemi ditë të mira me më pak të infektuar por do të kemi edhe ditë të vështira me më shumë të infektuar, por unë mbetëm me shpresë që masat që do t’i prezantojmë sot në bashkëpunim me ju nuk do të na kthejnë prapa por do të çojnë përpara.

Tani më dëgjoni me vëmendje ju lutem. Ne kemi marrë masat parandaluese ende pa u konfirmuar rastet e para me COVID-19, si rezultat edhe kemi pasur numër të ulët të infektimeve në fillim. Me ardhjen e pranverës dhe ngrohjen e motit u çliruam para kohe dhe neglizhuam fuqinë e virusit, prandaj dhe patëm një rritje të shtuar të infektimeve.

Tani jemi në një situatë ku lakorja e virusit dhe mesatarja e infektimeve ditore na lejon që të relaksojmë kufizimet, por assesi dhe në asnjë mënyrë të neglizhojmë rrezikshmërinë. Pakujdesia dhe neglizhenca do të na kthejnë prapa duke rrezikuar jo vetëm jetën dhe shëndetin e të gjithëve por edhe mirëqenien ekonomike.

Me masat e reja po synojmë të çlirojmë ekonominë duke synuar edhe mbrojtjen e shëndetit edhe të ekonomisë.

Por sikur çdo masë që kemi marrë deri më tash, edhe suksesi i masave të reja varët vetëm nga bashkëpunimi i qytetarëve.

Në këto dy javët e fundit kemi pasur shumë takime e shumë debate; kemi hartuar disa drafte dhe në fund në konsultim dhe në koordinim me shumë akterë vendorë dhe ndërkombëtar kemi vendosur që:

Hapjen e ekonomisë dhe heqjen e kufizimeve ta bëjmë në tri faza.

Faza e parë fillon me 4 maj dhe planifikohet të vazhdojë deri më 18 maj. Gjatë kësaj periudhe:

·         Zgjerohet orari i lirisë së lëvizjes nga 1.5 në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite.

·         Hapen këto pjesë të ekonomisë; ndërtimtaria dhe patundshmëria; tregtia e automjeteve (pjesërisht); tregtia me pakicë (pjesërisht); riparimi i artikujve personal dhe i orendive; zyrat e konsulencës (me lista të stafit esencial).

·         Orari dhe lista e veprimtarive të lejuara do të publikohen menjëherë pas konferencës.

Faza e dytë planifikohet të filloj me 18 maj dhe vazhdon deri më 01 qershor planifikohet të lirohen masat por varësisht nga vlerësimi i situatës epidemiologjike.

Por, keni parasysh që kalimi nga faza e parë në të dytën dhe kthimi potencial nga faza e dytë në të parën varet nga të gjithë ne. Nëse nuk kemi rritje të rasteve dhe respektojmë me përpikëri udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe qeveritare atëherë do të ecim përpara, por nëse relaksohemi dhe infektimet fillojnë me shpejtësi, atëherë do të kthehemi prapa.

Të dashur qytetarë, këto janë masat e reja për të kaluar në një normalitet të ri.

Tani më lejoni të flas për normalitetin e ri në kohën e Virusit sepse dua të jem i hapur dhe i drejtë me ju.

Përkundër progresit që kemi shënuar në këto ditë, ne nuk kemi zhdukur virusin. Ai do të vazhdojë të jetë mes nesh. Prandaj edhe pse do të donim të ishim më optimist, as tek ne e askund në botë nuk do të kemi një situatë normale sepse ky nuk është një vit normal. Ky vit nuk është si çdo vit tjetër, e sa më parë që e kuptojmë aq më lehtë do ta kemi.

Këtë vit ndoshta nuk do të kemi festime ditëlindjesh me miq; fejesa, ahengje dhe martesa me tubime e nuk do të kemi as ceremoni mortore me tubime. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të festojmë ditëlindjet, fejohemi dhe martohemi, por pa të ftuar e pa grumbullime.

Një ceremoni mortore për një jetë njeri rrezikon jetën e dhjetëra të tjerëve, apo kurorëzimi i dashurisë së dy personave mund të kthehet në hidhërimin e qindra të tjerëve.

Këtë virus nuk guxojmë ta neglizhojmë sepse na kushton me jetë.

Ky vit do të jetë viti i distancës dy metërshe; i dorëzave e i maskave dhe i higjienës në maksimum. Sa më shpejtë që e kuptojmë këtë aq më të përgatitur do të jemi.

Prandaj 4 maji nuk është dita kur kthehemi në normalitet, por dita kur fillojmë ecjen graduale drejt një realiteti të ri sepse kështu shtojmë kujdesin tonë dhe parandalojmë përhapjen e tij; një realitet ku sa herë që bëjmë pagesa mbajmë distancën me njëri tjetrin; një realitet ku të afërmit dhe shoqërinë i takojmë përmes teknologjisë e jo përmes vizitave.

DISTANCË DISTANCË DISTANCË, HIGJENË DEZINFEKTIM KUJDES

Shmangni vizitat familjare, takimet shoqërore dhe grumbullimet. Këto janë masat e vetme për të shmangur virusin.

Masat e reja do të jenë në përputhje me normalitetin e ri.

Prandaj, qytetarë të dashur, roli juaj është i pazëvendësueshëm. Vetëm ju mund të bëni të mundur që numri i infektimeve të jetë i ulët në mënyrë që të ruajmë spitalet dhe punëtorët shëndetësorë.

Sepse, kur numri i infektimeve rritet shpejtë atëherë edhe spitalet mbushen shpejtë, e kur spitalet mbushen shpejtë, atëherë nuk do të kemi as shtretër dhe as mjekë që të ofrojmë kujdesin e duhur shëndetësor.

Vetëm ju mund të shpëtoni edhe jetët e qytetarëve edhe shëndetin e ekonomisë duke respektuar dhe ndjekur udhëzimet e qeverisë dhe institucioneve shëndetësore. Duke ruajtur distancën, duke shmangur vizitat familjare dhe shoqërore e duke dalë vetëm kur është e domosdoshme, sepse kështu mbrojmë vetën dhe të tjerët.

Për fund, dua të theksoj atë që është jashtëzakonisht e rëndësishme. Në momentin kur situata epidemiologjike vështirësohet dhe numri i infektimeve ka potencial të rritjes eksponenciale ne do të kthehemi prapa.

Prandaj ecja përpara apo kthimi mbrapa varet nga të gjithë ne.

 Qeveria do të marrë të gjitha masat për të monitoruar dhe inspektuar çdo rregull, por suksesi varet nga bashkëpunimi dhe mirëkuptimi juaj.

Le ta bëjmë më të lehtë punën e policëve që punojnë në tri ndërrime,

Le ta bëjmë më të lehtë punën e infermierëve dhe mjekëve që punojnë pa u ndalur,

Le të kujdesemi për njëri tjetrin si kurrë më parë.

Le të mbrojmë njëri tjetrin si kurrë më parë.

Këtë e bëjmë për prindërit, për gjyshërit, për më të ndjeshmit, për mjekët e infermierët, për policët e inspektorët për ekonominë e për të ardhmen, për njëri-tjetrin e për të gjithë.

Një ditë e gjithë kjo do të jetë vetëm një e kaluar e largët, por ajo që do të tregohet do të na kujtoj’ se si përballë rrezikut nga pandemia ne ditëm të bëhemi bashkë.

Faleminderit.

MBANI DISTANCEN!

 Ministrja e MEPTINIS, Rozeta Hajdari

 Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari tha se sektorëve të ekonomisë do të hapet gradualisht.

Ajo tha se është duke u punuar në hartimin e pakos së dytë fiskale pas pandemisë së COVID-19, që do të jetë edhe më efikase.

“Synimi është që ta hapim ekonominë gradualisht, për shkak se jemi të vetëdijshëm se kemi humbje të mëdha ekonomike, duke filluar nga likuiditeti dhe humbja e kontratave të punëtorëve. Jam e vetëdijshme që shumë punëtorë kanë humbur vendet e punës në sektorin e gastronomisë, ndërtimtarisë, atë të tregtisë me pakicë që janë mbyllur. Tani jemi duke punuar edhe për pakon e dytë e fiskale. Jam shumë pozitive që për shumë humbje që kemi, kemi edhe shumë shpresë. Falënderojmë bizneset që kanë respektuar masat”, tha Hajdari.

 Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se gjatë këtyre ditëve është punuar me MEPTINIS dhe MSH që të gjenden zgjidhje të cilat do të lehtësonin veprimtarinë e bizneseve të cilat janë goditur nga pandemia Covid-19, duke ruatur në të njëjtën kohë kujdesin për shëndetin e qytetarëve të vendit.

 Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së tha se edhe pse do të ketë disa lehtësime që në fazën e parë të planit, vlen të theksohet se shumica e masave do të mbeten në fuqi, të paktën deri më 18 maj. Të dashur qytetarë, ju lutem shumë për durimin, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm në respektimin e këtyre masave, duke përfshirë:

– Ndalimi i vizitave familjare dhe takimeve shoqërore

– Ndalimi i grumbullimit të dy apo më shumë personave

– Ndalimi i shfrytëzimit të automjeteve përveç me leje të veçantë apo në raste emergjente shëndetësore

– Ndalimi i pjesëmarrjes në dasma, ahengje, ceremoni mortore, përveç familjarëve të ngushtë.

– Mbajtja e distancës prej dy metrash nga persona të tjerë

 “Sidomos pas fillimit të lehtësimit gradual të masave, na duhet bashkëpunimi jo vetëm i shumicës së qytetarëve por të gjithëve bashkë. Kjo është e nevojshme për të siguruar se epidemia të mos shpërthehet sërish”, tha ai.

 

​