Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Adresimi i Ministrit Vitia para mediave lidhur me lehtësimin e masave lidhur me Covid-19

Të nderuar gazetarë dhe media,

Të nderuar mjekë, infermierë, policë, inspektorë,  kryetarë të komunave dhe prijës fetarë.

Të dashur qytetarë,

Më lejoni që fillimisht të falënderoj punëtorët shëndetësorë të cilët janë në vijat e frontit duke u kujdesur për jetën e secilit nga ne. Policët dhe inspektorët të cilët po kujdesen për zbatimin e masave të qeverisë si dhe të gjithë ju të dashur qytetarë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj.

Dua të falënderoj po ashtu MEPTINIS, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Transportit, Ministrinë e Mbrojtjes si dhe të gjitha institucionet tjera qeveritare dhe jo-qeveritare të cilat kanë dhe janë duke ndihmuar vazhdimisht. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

Ashtu siç jeni të informuar, dje kemi pasur 0 raste të infektuar me virusin korona. Ky është një sukses i përbashkët falë përkushtimit të institucioneve përgjegjëse dhe durimit dhe bashkëpunimit të qytetarëve.

Deri sot kemi 1032 të infektuar 789 të shëruar, 29 të vdekur dhe 214 raste aktive.

Janë realizuar mbi 13 mijë teste dhe do të vazhdojmë të testojmë çdo ditë sepse rreziku nga virusi ende nuk ka kaluar.

Ashtu siç kemi thënë më herët, ne duhet të mësohemi që të bashkëjetojmë me virusin. Virusi mund të ndryshojë dhe të përshtatet, prandaj edhe ne duhet të tregojmë aftësinë për t’u përshtatur në luftimin e tij.

Në fillim masat ishin më të vështira sepse situata ishte më e rënduar, por nga 4 maji, ne kemi filluar me një plan prej tre fazave përmes të cilave po synojmë kalimin në një normalitet të ri.

Para një jave me kryeministrin e Kosovës z. Albin Kurti, prezantuam fazën e dytë të hapjes graduale të ekonomisë dhe lirisë së lëvizjes, ku theksuam se do bëhet edhe një analizë tjetër epidemiologjike deri me datën 25.

Pas diskutimeve që kemi pasur javën që shkoi dhe rezultateve nga tereni, jemi mjaftueshëm të inkurajuar që të prezantojmë masat e reja lehtësuese.

Siç mund ta shihni, unë sot jam i shoqëruar nga Kreu i Bashkësisë Islame, Myftiu Tërnava, nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot – Dodë Gjergji si dhe nga profesor Naser Ramadani nga IKSHP dhe dr. Lindita Ajazaj-Berisha, drejtoreshë në Klinikën Infektive.

Nga kjo mund ta kuptoni se ndër masat lehtësuese janë edhe ato për fillimin e hapjes së objekteve fetare, të cilat do të hapen këtë të enjte, pra me 28 maj.

Nga data 28 maj, gjithashtu orari i lëvizjes për qytetarët do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në ora 21:00 të mbrëmjes.

Deri në fund të këtij muaji do të mbyllet karantina në përputhje me situatën e re epidemiologjike në vend dhe në bashkërendim me veprimet e shteteve të rajonit dhe më gjerë.

Në fazën e tretë, e cila fillon me 01 qershor, në përputhje me situatën epidemiologjike, parashihen masa të reja lehtësuese të cilat do të çlirojnë edhe më shumë ekonominë.

Qytetarë të dashur, është tejet e rëndësishme të kuptojmë se derisa po kalojmë në një fazë të re ku po rritet liria dhe po çlirohet ekonomia, po ashtu po kalojmë në një periudhë të re të rritjes së përgjegjësisë qytetare.

Çdo hap përpara që bëjmë, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë.

Virusin nuk e kemi mundur, prandaj nuk mund të sillemi sikur ai nuk ekziston. Virusi është armik i padukshëm, por indiferenca e neglizhenca jonë janë armiq të dukshëm.

Prandaj më dëgjoni me kujdes ju lutem sepse kam një kërkesë, jo vetëm si ministër por edhe si mjek, prind e qytetar.

  • Virusi është i rrezikshëm dhe shpërndahet lehtë.
  • Vaksinë nuk kemi, prandaj duhet të kujdesemi për njëri tjetrin.
  • Askush nuk është imun ndaj virusit. Të rinjtë janë të rrezikuar po aq sa të vjetrit, e fatkeqësisht tashmë po shohim raste ku virusi nuk kursen as fëmijët.
  • Prandaj në këtë fazë të re me liri të shtuar, duhet të shtojmë kujdesin dhe përgjegjësitë tona.
  • Maskat duhet të bëhen pjesë e përditshmërisë sonë.
  • Vendosi maskën kur jeni në autobus; kur jeni në market; në zyrë; në sallon ondulomi; tek flokëtari; tek mjeku; kur prisni në rend; KJO ËSHTE JETIKE. JU LUTEM VENDOSNI MASKAT.
  • Mbani distancën fizike prej 2 metrave çdoherë nga njëri tjetri, në shtëpi, në rrugë, në shesh e kudo.
  • Shmangni vizitat familjare. Unë e kuptoj se ne jemi shoqëri e lidhur shumë me njëri tjetrin. Shumë nga ju nuk keni parë familjarët e tuaj, dajat, tezet, hallat e miqtë, por duhet ta dini se virusi kalon nga një shtëpi në tjetrën kur bëjmë vizita familjare.
  • Kur dilni nga shtëpia në shesh duhet të ruani vetën dhe të tjerët, por kur shkoni në shtëpinë e dikujt tjetër ju rrezikoni që të merrni dhe të shpërndani virusin.
  • Le t’i ruajmë ata që i duam më së shumti.

Por, fakti që nuk lejohen vizitat nuk do të thotë se nuk duhet të flasim. Sot më shumë se kurrë mund të jemi me të tjerët pa u takuar. Përdorni telefonat e tabletët për të folur me njëri tjetrin.

Prej se ka filluar kjo pandemi, unë nuk kam shkuar në vizitë familjare as te vëllezërit e sidomos prindërit e mi, por kam folur me ta çdo ditë.

Derisa virusi është brenda nesh, ne duhet të i mbajmë miqtë tanë larg nesh. Pra, paradoksalisht, në këtë kohë, ata që i duam më së shumti duhet të i mbajmë më së largëti.

Derisa ne marrim vendime për të shtuar liritë e për të çliruar ekonominë, ju të dashur qytetarë duhet të rrisni përgjegjësinë. Mbani distancën dhe higjienën, vendosni maskat dhe ndaloni vizitat.

Unë kam marrë qindra pyetje gjatë këtyre ditëve nga qytetarë brenda e jashtë Kosovës.

Ministër, kur do të hapen kufijtë? Ministër, a do të mund të vijmë në Kosovë sivjet?

Kur do të hapen shkollat? Kur do të hapen çerdhet? Kur do të vije vala e dytë? A jemi gati kur kjo të vijë? Etj.

Unë do të doja shumë që të jemi të heqim të gjitha masat dhe të kthehemi në normalitet. Por, derisa kufizimet po hiqen gradualisht masat mbrojtëse duhet të forcohen vazhdimisht.

Shkollat dhe çerdhet do të hapen, por maskat, distanca dhe higjiena duhet të bëhen pjesë e domosdoshme.

Objektet fetare po hapen, por të njëjtat masa janë të domosdoshme.

Ky është normaliteti i ri. Ku në vend se të vazhdojmë kufizimet ne shtojmë masat mbrojtëse dhe përgjegjësinë.

Kufijtë do të hapen, por masat mbrojtëse do të shtohen. Kjo do të ndodhë në secilin shtet, prandaj edhe duhet mirëkuptim dhe bashkëpunim nëse prisni më gjatë në kufi.

Përgjegjësi individuale dhe përgjegjësi kolektive. Kjo është përgjigja më e mirë që mund t’i japim një virusi i cili nga ne pret që të jemi të papërgjegjshëm.

Për ata që pyesin se kur do të kthehet vala e dytë dhe sa e rrezikshme do të jetë?

Këtë nuk mund ta dimë me saktësi, por për këtë po përgatitemi maksimalisht.

Gjatë këtyre muajve kemi:

– Kemi siguruar buxhet shtesë në vlerë prej rreth 70 milionë EUR nga qeveria, kreditorët dhe donatorët, jashtë buxhetit të ndarë në fillim të këtij viti. Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë donatorët të cilët përkundër situatës së rënduar në vendet e tyre janë treguar solidar me vendin tonë.

– Këto mjete do të shfrytëzohen jo vetëm në luftën ndaj pandemisë por do të bëhen pjesë e ngritjes së kapaciteteve dhe reformës në sektorin e shëndetësisë.

Në javët dhe muajt në vazhdim:

– Do të shtojmë 5 laboratorë rajonal për testim

– Do të trefishojmë numrin e respiratorëve

– Do të shtojmë numrin e aparaturave të monitorimit dhe trajtimit në të gjitha spitalet e Kosovës

– Do të shtojmë numrin e rezonancave magnetike

-Do të dyfishojmë numrin e CT-ve

– Do të rrisim numrin shtretërve për kujdes intenziv.

-Do të shtojmë pajisjet shumë të rëndësishme sikurse Bronkoskop dhe ultrazë, pajisje të radiologjisë, oksigjen koncentrator etj.

– Mbi të gjitha do të sigurojmë masa mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe jo vetëm, në sasi të mjaftueshme.

Këto investime në shëndetësi janë investimet e munguara të cilat do të përmirësojnë cilësinë e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e republikës.

Në ditët në vazhdim, bashkërisht me qytetarët:

-Të zhvillojmë teste të temperaturës, kampanjë informuese e vetëdijesuese për qytetarët. Për këtë do të ju informojmë kohë.

  • Në sheshe dhe vende publike do të ketë më shumë zyrtarë policor dhe vullnetarë për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të IKSHP-së.

Qytetarë të dashur,

Tani kur po heqim më shumë kufizimet duhet të rrisim më shumë përgjegjësinë. Maskat dhe distanca janë jetike.

Ne po ecim përpara me përgjegjësi të shtuar individuale dhe kolektive. Secili për secilin.

Bashkë kemi arritur deri këtu, bashkë do të vazhdojmë nga këtu.

BOX:

Bashkë me Ministrin Vitia në adresimin para mediave ishin edhe Drejtori I IKSHPK-së, Naser ramadani, drejtoresha e Klinikës Infektive Lindita Ajazaj-Berisha, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava dhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Profesor Ramadani tha se situata epidemiologjike është më e mirë se më parë dhe se Kosova ka dalë shumë më mirë ta menaxhojë pandeminë Covid-19 se në skenarët që ishin parashikuar para fillimit të pandemisë dhe është arritur të shpëtohen shumë jetë të qytetarëve. Ai ka falënderuar qytetarët dhe prijësit fetarë të cilët kanë ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të situatës epidemiologjike derisa ka kërkuar që maskat, distancimi social e fizik, higjiena personale e kolektive të jenë masa të cilat qytetarët duhet t’i praktikojnë edhe më tej.

Dr. Lindita Ajazaj- Berisha tha se Klinika të cilën ajo e drejton do të vazhdojë të ofrojë shërbime 24/7 për pacientët me Covid dhe se puna aty është lehtësuar falë bashkëpunimit dhe koordinimit edhe me institucionet e tjera dhe qytetarët.

Myftiu Naim Tërnava ka theksuar faktin se Kosova ka pasur sukses të prekshëm në menaxhimin e pandemisë dhe ka mirëpritur lehtësimin e masave, duke kërkuar që ato të vazhdojnë të respektohen edhe më tej.

“Jam i gëzuar që së bashku me institucionet e vendit, me popullatën, bashkësitë fetare në Kosovë, ia arritëm ta mundim edhe këtë virus vdekjeprurëse apo ta dobësojmë deri në një masë që neve na u lehtësua gjendja të hapim shtëpitë e Zotit që qytetarët të shkojnë nëpër xhami dhe kisha, t’i falen Zotit, të kërkojnë nga Zoti ndihmë dhe mëshirë. Falënderoj të gjithë ata që kontribuuan, institucionet tona, IKSHPK, mjekët, qendrën infektive, të cilët dhanë gjithçka nga vetja”, tha Tërnava.

Edhe kreu i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka falënderuar besimtarët myslimanë dhe katolikë që iu përgjigjen ftesës për t’i mbrojtur nga përhapja e COVID-19.

“Dëshiroj të falënderoj institucionet tona për bashkëpunim, ministrin Vitia, mbi të gjitha IKSHPK, mjekët, infermierët dhe të tjerët që janë angazhuar në mbrojtjen e shëndetit. Falënderoj besimtarët myslimanë dhe katolikë që na kanë dëgjuar. Mund të kthehemi serish në kisha dhe xhamia dhe t’i japim nder Zotit. Duhet t’i mbahemi rregullave, sepse virusi është mes nesh dhe nuk e dimë kur do të ikë”, tha Dodë Gjergji.