Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ambasada e SHBA përmes USAID i dhuroi Kosovës 50 respiratorë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara, përmes Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i ka dhuruar sot Kosovës 50 respiratorë.

Respiratorët janë nga më bashkëkohorët për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19.

“Në përgjigje të nevojës së Kosovës për më shumë pajisje mjekësore, Shtetet e Bashkuara po i dhurojnë 50 respiratorë tërësisht të ri dhe nga më bashkëkohorët. Kjo shprehje e partneritetit tonë SHBA-Kosovë është gjithashtu edhe një shembull i shkëlqyeshëm i bashkëdyzimit të zemërgjërësisë amerikane dhe inovacionit të industrisë private amerikane. Shpresojmë që këto aparate mjekësore t’u mundësojnë ofruesve të shërbimeve shëndetësore anembanë Kosovës të shpëtojnë më shumë jetë”, tha ambasadori Philip Kosnett.

Kurse, Ministri Zemaj tha se në këtë kohë kur të gjithë popujt e botës po ballafaqohen me sfidën e pandemisë, solidariteti mes popujve dhe asistenca ndaj njëri -tjetrit ka rëndësi të madhe, në veçanti kur popujt dhe shtetet e mëdha u zgjasin dorën e mbështetjeve shteteve më të vogla dhe me kapacitetet më të kufizuara.

Pos respiratorëve, USAID-i po financon edhe një pako mbështetëse e cila përfshin pajisjet shoqëruese, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe të tjera.