Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

FSK e gatshme me kapacitetet e saj për të mbështetur menaxhimin e pandemisë Covid-19

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka vizituar sot Qendrën Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ata janë pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

“Bashkë me ministrin e Shëndetësisë inspektuam spitalin ushtarak, për të parë kapacitetet që FSK-ja do t’i vërë në dispozicion të qendrës spitalore, në rast se do të kemi nevojë që t’i përdorim ato. Unë nuk jam shumë njeri ushtarak, por jam i impresionuar kur hyj brenda, por edhe i emocionuar me disiplinën ushtarake dhe përgatitjet e Ministrisë së Mbrojtjes, të FSK-së, një disiplinë që na bënë krenarë”, tha kryeministri Hoti.

Ministri Zemaj ka vlerësuar gatishmërinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të vënë në dispozicion të menaxhimit të pandemisë Covid-19 kapacitetet e saja shëndetësore.

Kryeministri Hoti dhe Ministri Zemaj kanë inspektuar pastaj pajisjet e fundit ushtarake të FSK-së, të blera me buxhetin e Kosovës.