Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Konferencë për media: 150 TË SHËRUAR DHE 55 RASTE ME COVID-19!

Mirë se keni ardhur në këtë konferencë për media, e cila po koincidon me një ditë të rëndësishme në Kosovë, atë të kthimit të nxënësve në shkolla.

Duke qenë që ky proces po fillon pas një varg përgatitjesh të bëra në nivel të Qeverisë – Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK-së dhe institucioneve komunale, shfrytëzoj nga rasti që t’u uroj nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve fillimin e vitit të ri shkollor.

Gjithashtu, të rikujtoj rëndësinë e madhe që ka zbatimi korrekt i masave mbrojtëse në shkolla dhe në institucione te tjera për t‘u siguruar që nxënësit tonë do të jenë të mbrojtur bashkë më mësimdhënësit e tyre, sikurse edhe qytetarët e tjerë të vendit.

Siç keni vërejtur në ditët dhe javët e fundit, Kosova këtyre ditëve po regjistrin numër më të vogël të rasteve pozitive të COVID-19, e gjithashtu edhe sot, por kjo rënie graduale dhe që po stabilizohet, nuk duhet të na bëjë të ndihemi më pak përgjegjës se deri më tani, prandaj, kërkojmë që të vazhdohet me disiplinë në zbatimin e masave, bartje të maskës mbrojtëse, ruajtje të distancës dhe përkujdesje për higjienën.

Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të mbështes profesionistët shëndetësor në punën e tyre, sikurse edhe organet e rendit që të zbatohen me përpikëri masat e ndërmarra në fuqi.

Këtyre ditëve jemi në kontakte edhe me vendet e rajonit për të parë mundësinë e lehtësimit të qarkullimit pa iu nënshtruar testimeve që kërkohen në vendet fqinjë për shtetasit e Kosovës dhe anasjelltas, por e tëra kjo varet nga situate epidemiologjike në ato vende dhe tek ne.

Fatmirësisht, situata më e qetë në Kosovë na jep shpresë se do të akceptohen kërkesat tona.

Në ndërkohë, do të përgatitemi intensivisht si në riorganizimin e kapaciteteve spitalore ashtu edhe në masat preventive, me qëllim që sezoni i vjeshtës dhe dimrit, të na gjejë të gatshëm për t’u ballafaquar me secilin skenar të mundshëm.

Në këtë aspekt, MSh ka kontraktuar përmes UNICEF-it 165 mijë vaksina kundër gripit sezonal, kontigjentet e para të së cilave presim të arrijnë dhe shpërndahen në tetor, derisa tenderi për pjesën tjetër të vaksinave është anuluar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk do të pranojë që kompanitë farmaceutike, duke shfrytëzuar situatën me Covid-19, të abuzojnë me ngritje të çmimeve të ofertave siç kanë bërë.

Ne do t’i sigurojmë edhe pjesën tjetër të vaksinave (rreth 300 000), por jo me çmime abuzive, por me çmime tregu.

Pra, duke siguruar qytetarët se po bëjmë maksimumin që situatën rreth Covid-19 ta kemi sa më të mirë, ju bëjmë thirrje edhe një herë që të mos e ulim për asnjë çast vëmendjen ndaj Covid-19 dhe t’i zbatojmë të gjitha masat në fuqi.

Deri në zhvillimin, aprovimin dhe përdorimin e vaksinës anti Covid-19, nuk kemi rrugë tjetër më të lehtë dhe më të lirë se bartja e maskës, ruajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës.

14 shtator 2020- Raporti nga ShSKUK-Rastet e spitalizuara me COVID

14092020 INFORMATE PER 24 ORE