Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Lehtësohen procedurat për importin e barnave kundër Covid-19

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Armend Zemaj ka aprovuar sot propozimin e grupit profesional të Agjensisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) që për zbatimin e masave të veçanta, AKPPM të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut për produktet për përdorim tek pacientët me Covid-19 si: Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine.

Ky aprovim vlen për periudhën gjatë pandemisë Covid-19 deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masa të veçanta.

Duke pasur parasysh situatën emergjente të krijuar si rrjedhojë e pandemisë së virusit Covid-19, Grupi profesional i AKPPM-së, bazuar në nenin 39 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale e ka parë të arsyeshme që të krijohet mundësia e importit të barnave Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine me kushte të veçanta pa autorizim për marketing, në mënyrë që të shpejtohet qasja në këto barna të parapara në udhërrëfyesin klinik nr. 9 mbi menaxhimin dhe trajtimin e Covid-19.

Gjithashtu, Ministri Zemaj do të autorizoj përfshirjen e këtyre tre barnave edhe në Listën e Esenciale të Barnave përmes plotësim-ndryshimit të saj.