Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Zemaj: Po krijojmë mundësi që mjekët të specializojnë dhe të punojnë në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ndoqi për pak kohë nga afër procesin e intervistimit të mjekëve që kanë aplikuar për specializim, në konkursin e fundit të shpallur nga Bordi për Shkollim Specialistik i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai është njoftuar shkurt nga anëtarët e Komisionit intervistues lidhur me procedurat e intervistimit të kandidatëve, ndërkohë që mjekëve që kanë pasur sot orarin e intervistës para Komisionit u dëshiroi sukses në profesionin dhe karrierën e tyre profesionale.

Më pas Ministri Zemaj deklaroi para mediave se MSh është duke udhëhequr një proces të ndarjes së specializimeve në mënyrë sa më transparente, duke ju krijuar mundësi kandidatëve të shumtë që të vazhdojnë ngritjen e tyre profesionale, pas një periudhë relativisht të gjatë pa specializime në Kosovë.

“Prej këtij viti, konkurse të specializimeve do të këtë çdo vit rregullisht, ashtu që mjekëve të rinj që diplomojnë, t’u krijojmë mundësi për ngritjen e tyre profesionale dhe përmes krijimit të mundësive si për shkollim specialistik, ashtu edhe për punësim dhe të parandalohet ikja e kuadrit mjekësor nga Kosova.

Ministri Zemaj tha se pas mbylljes së këtij konkursi që do të kyç në specializime mbi 1300 mjekë dhe pjesës që ka të bëjë edhe me specializimet e mjekëve nga Lugina e Preshevës, disa kuota për specializime do të ndahen edhe për mjekët nga trojet shqiptare si në Mal të Zi.