Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Zemaj: Rreth 2000 mjekë kanë aplikuar për specializime

Rreth 2000 mjekë kanë aplikuar në konkursin e specializimeve të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë. Kështu bëri të ditur sot Ministri Armend Zemaj në një konferencë për media.

“Jemi të inkurajuar nga interesimi i madh i mjekëve për t’u bërë pjesë e këtij konkursi, por jo të befasuar, duke marrë parasysh faktin se prej 4-5 vjetësh, Ministria e Shëndetësisë nuk kishte shpallur konkurs për specializime, duke ua pamundësuar mjekëve një të drejtë të tyre-shkollimin specialistik dhe avancimin profesional. Ne kemi thyer këtë bllokadë të pakuptueshme dhe u kemi dhënë mundësinë rreth 2000 mjekëve të përgjithshëm, stomatologëve dhe psikologëve, që të bëhen pjesë e konkurrencës për të filluar një specializim në fushën e përzgjedhur, tha ai.

Sipas të dhënave nga Sekretaria e Bordit për Shkollim Specialistik, në këtë konkurs kanë aplikuar, kanë aplikuar rreth 2000 kandidatë, për të tre nivelet e Kujdesit Shëndetësor: Për Kujdesin parësor Shëndetësor, të financuar nga komunat QKMF (Mjekësi familjare, biokimi klinike dhe ku ka maternitete, pediatër dhe gjinekolog); Për Kujdes Dytësor dhe Tretësor  (Spitale të Përgjithshme dhe QKUK-profilet e tjera të specializimeve, sipas nevojave të institucioneve) dhe, Për Stomatologji, janë 250 vende me vetëfinancim.

 Ministri tha se para dy ditësh, MSh ka bërë edhe plotësimin e konkursit duke ndarë disa vende shtesë për nevoja të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, disa institucione të tjera, dhe duke ndarë edhe 8 vende me financim nga Ministria për mjekët nga Lugina e Preshevës dhe 40 me vetëfinancim, duke ndarë kështu gjithsej 48 vende specializime për mjekët nga Lugina e Preshevës.

“Sigurisht, kjo është një ndihmë e drejtpërdrejt për fuqizimin e shërbimeve shëndetësore në komunat me shumicë shqiptare atje, për faktin se specializantët, pas mbarimit të programit, sipas kontratës do të jenë të obliguar të punojnë në Luginë.  Prandaj, ne jemi të lumtur që për një kohë të shkurtër, arritëm të krijojmë mundësi reale që mjekeve tanë t’u hapim horizontin e ngritjes profesionale me synimin kryesor që ata të shkollohen e aftësohen profesionalisht në Kosovë, ta kenë perspektivën këtu dhe t’i shërbejnë popullit të Kosovës.

Për ndonjë detaj tjetër, rreth konkursit, mund të ju përgjigjen anëtarët e Bordit për Shkollim Specialistik”.

Ministri u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara, organizatave qeveritare dhe jo-qeveritare që ta bëjnë monitorimin e këtij procesi, duke siguruar transparencë të plotë dhe mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët.

“Duke qenë që jemi në një kohë të pandemisë, shfrytëzoj edhe këtë mundësi, të ju bëj thirrje qytetarëve për zbatim pa rezervë të masave kundër Covid-19, duke u treguar të përgjegjshëm: të mbajnë maskën , të ruajnë distancën dhe higjienën personale”, tha Ministri Zemaj.