Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Zemaj viziton Istogun

Përveç takimit me kryetarin e Komunës Haki Rugova me të cilin kanë biseduar për Covid-19, ministri, bashkë edhe me Ambasadorin e Republikës së Turqisë Çağrı Sakar, kanë marrë pjesë në përurimin e investimeve në maternitetin e QKMF-së me financim të Republikës së Turqisë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj vizitoi sot Komunën e Istogut ku u prit nga kryetari i kësaj komune Haki Rugova.

Gjatë kësaj vizite, Ministri Zemaj me kryetarin Rugova kanë biseduar për menaxhimin e pandemisë Covid-19 në këtë komunë, me ç’rast Ministri Zemaj ka falënderuar autoritetet lokale dhe profesionistët shëndetësor të kësaj komune për përkushtimin e treguar gjatë kësaj kohe.

Ai ka thënë se MSh është duke fuqizuar aktivitetet e saj si në aspektin e shtimit të kuadrit mjekësor, ashtu edhe të masave mbikëqyrëse për zbatimin e Manualit për mbrojtje nga përhapja e Covid-19, të miratuar nga Ministria.

Ministri Zemaj tha se MSh do të jetë afër komunave duke siguruar mbështetje për Kujdesin Parësor Shëndetësor, duke e ditur rëndësinë e këtij niveli që është porta e parë e luftimit të sëmundjeve.

Ai kërkoi që institucionet dhe qytetarët e Komunës së Istogut ta zbatojnë manualin dhe masat në fuqi në funksion të ruajtjes së shëndetit publik.

Kryetari i Istogut, z. Haki Rugova ka falënderuar ministrin për vizitën dhe bashkëpunim dhe e ka njoftuar atë me nevojat e Kujdesit Parësor Shëndetësor në këtë komunë.

Ai ka thënë se qendra operative e emergjencës në këtë komunë ka menaxhuar në bashkëpunim me institucionet qendrore situatën rreth Covid-19 në këtë komunë.

Gjatë vizitës në Istog, Ministri Zemaj mori pjesë edhe në përurimin e shërbimit të maternitetit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjar , financuar nga fondet e Qeverisë së Republikës së Turqisë ku theksoi bashkëpunimin e mirë me partnerët në funksion të furnizimit të shërbimeve shëndetësore për nënat dhe fëmijët në Kosovë. Ai falënderoi Turqinë për mbështetjen e dhënë sistemit shëndetësor të Kosovës dhe asistencën konkrete gjatë pandemisë.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë Çağrı Sakar, tha se ky donacion nga populli i Turqisë për qytetarët e komunës së Istogut shërben për të rritur kujdesin shëndetësor, sidomos për nënat dhe fëmijët dhe se ky shtet do të mbetet i angazhuar që ta ndihmojë popullin mik të Kosovës.