Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Prezantohen punët për finalizimin e Softuerit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Prishtinë, 1 qershor 2015

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë bashkë me menaxherët e institucioneve shëndetësore dhe përfaqësues të kompanisë austriake VAMED prezantuan sot në Prishtinë aspekte që lidhen me finalizimin e Softuerit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Në këtë takim, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka theksuar rëndësinë e funksionalizimit të Sistemit të Informimit Shëndetësor në veçanti të komponentin që lidhet me sigurimet shëndetësore. Ai kërkoi nga të gjithë akterët e kyçur në këtë proces që të japin maksimumin me qëllim që SISH-i të funksionalizohet sa më parë duke e ditur faktin që, siç tha Ministri, ky është një proces vital për sigurimet dhe vet reformën shëndetësore.

Sekretari i Përgjithshëm Gani Shabani tha se Sistemi i Informimit Shëndetësor është shtylla e reformës shëndetësore, prandaj, kërkoi nga të gjithë që të japin kontributin e tyre për ngritjen e këtij sistemi.

Në takimin e sotëm, përfaqësues të kompanisë kontraktuese VAMED për zbatimin e Softuerit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore kanë prezantuar një analizë të procesit dhe punëve të deritanishme, mundësitë dhe sfidat, me fokus në orientimin për krijimin e regjistrave të personave që do të kontribuojnë në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore; regjistrat e personave të siguruar, regjistrat e përcjelljes së pagesave, etj.

Përfaqësues të dhe Agjensisë Kombëtare të Informacionit, Trustit Pensional, MPMS, SHSKUK-së, Agjensionit të Statistikave, etj., kanë shprehur refleksionet e tyre rreth këtij procesi dhe mundësitë për të kontribuar në funksionalizimin e SISH-it, sikurse dhe sfidat që shtrohen në rrugë e sipër të këtij procesi.