Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh: Kryetarja e Odës së Mjekëve në mungesë vizioni e projekti dezinformon opinionin

Është për keqardhje, që udhëheqësja e një Ode që bart përgjegjësi publike sipas ligjit dhe mbron dhe prezantojnë interesat profesionale të anëtarëve të saj, merr të drejtën që të fus të në të njëjtin thes në të cilin ajo e ka futur Odën e Mjekëve edhe Odat e tjera të profesionistëve shëndetësor, të cilat për dallim prej Odës që e udhëheq ajo, që prej themelimit të tyre kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë, në krijimin së pari të organeve dhe rregulloreve të punës, me qëllim të marrjes së ushtrimit të përgjegjësive për funksionalizimin gradual të tyre sikurse e parasheh ligji

Prishtinë, 5 gusht 2015

Ministria e  Shëndetësisë e Republikës së Kosovës i hedh poshtë si të paqëndrueshme dhe jo serioze deklaratat e Kryetares së (vet)bllokuar të Odës së Mjekëve të Kosovës, znj. Zylfije Hundozi, e cila që prej themelimit të kësaj ode e tutje, në mënyrë permanente, paaftësinë e saj për ta udhëhequr  këtë odë në zhvillimin e saj dhe marrjen e përgjegjësive, sipas ligjit, e ka mbuluar me akuza ndaj Ministrisë në media për gjoja, bllokimin e punës së kësaj ode nga ana e Ministrisë.

Për më tepër, është për keqardhje, që udhëheqësja e një Ode që bart përgjegjësi publike sipas ligjit dhe mbron dhe prezantojnë interesat profesionale të anëtarëve të saj, merr të drejtën që të fus të në të njëjtin thes në të cilin ajo e ka futur Odën e Mjekëve edhe Odat e tjera të profesionistëve shëndetësor, të cilat për dallim prej Odës që e udhëheq ajo, që prej themelimit të tyre kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë, në krijimin së pari të organeve dhe rregulloreve të punës, me qëllim të marrjes së ushtrimit të përgjegjësive për funksionalizimin gradual të tyre sikurse e parasheh ligji.

Znj. Hundozi dezinformon opinionin se gjoja Ministria nuk ka ndarë buxhet për odat, që është krejtësisht e pavërtetë, me që buxheti për Odat është 230 mijë euro dhe ky buxhet u është ndarë në mënyrë proporcionale të gjitha odave, ndërkohë që, nuk i shpjegon opinionit të cilin e dezinformon në vazhdimësi, se prej themelimit e deri tani, kryetarja e Odës së Mjekëve nuk ka prezantuar para Ministrisë si mbikëqyrëse e Odës asnjë projekt për ta mbështetur financiarisht, përveç kërkesave për t’i mbuluar vizitat e saj studimore jashtë vendit!.

Ministria është e vetëdijshme se procesi i themelimit të Odave, i filluar me themelimin e Odës së Mjekëve më 10 nëntor 2013; Odën e Farmacistëve më 27 qershor 2014; Odën e Stomatologëve më 25 nëntor 2014; Odën e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësor më 24 janar 2015 dhe më 8 korrik 2015, Odën e Fizioterapeutëve të Kosovës, nuk ka qenë i lehtë dhe mjaft sfidues, por është e vendosur që kompetencat të cilat u takojnë odave, t’ua bart atyre brenda periudhës tre vjeçare siç parashihet në ligj dhe në përputhje edhe me shkallën e zhvillimit të këtyre odave.

Nëse qëllimi i kryetares së Odës së Mjekëve dhe ndonjë anëtari të Kuvendeve të Odave apo trupave të tjerë të këtyre organeve ka qenë që përmes këtij procesi të përfitojnë materialisht, ky është një gabim shumë i madh i tyre, sepse Odat nuk janë institucione për të përmbushur synimet materiale të dikujt, kushdo qoftë ai, por janë organizata të pavarura të cilat mbrojnë dhe prezantojnë interesat profesionale të anëtarëve të saj, sigurojnë standardet e larta të kodit të etikës dhe deontologjisë mjekësore, promovojnë dhe mbrojnë veprimtarinë e profesionistëve shëndetësorë në institucionet shëndetësore publike dhe private, sigurojnë edukimin e vazhdueshëm profesional me qëllim të ofrimit sa më cilësor të shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve tjera që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor.

A ka prezantuar kryetarja e Odës së Mjekëve ndonjë projekt apo vizion para Ministrisë për  ushtrimin e ndonjërës prej këtyre përgjegjësive? Fatkeqësisht jo!

Natyrisht, nuk ka qenë e lehtë që për Odat të sigurohen as hapësira akomodimi, por megjithatë Ministria e ka bërë këtë dhe tashmë secila odë ka zyrat e saj, ku mund ta ushtrojë veprimtarinë në përputhje me ligjin. Mbase jo në zyra luksoze siç ka mundur të pretendojë dikush, por zyra pune, të cilat gradualisht do të mundësojnë që odat të zhvillohen gradualisht dhe me organet e zgjedhuara tashmë si kryetarët, nënkryetarët, Këshillin Mbikëqyrës, Këshillin Drejtues, Gjyqin e Nderit, Prokurorin e  Odës, komisionet e përhershme dhe të përfaqësuarit në komisionet e MSh-së ta kryejë punën e vet.

MSh dëshiron t’i rikujtojë kryetares së (vet)bllokuar të Odës së Mjekëve se Ligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, të cilin si duket ajo ka shumë vështirësi ta kuptojë, Neni 45 1. , thotë se mbikëqyrjen ndaj ligjshmërisë së punës së Odës në ushtrimin e funksioneve publike nga neni 9 i këtij ligji e bënë Ministria për Shëndetësisë.

Sikur është thënë edhe në takimin ditë më parë të Ministrit të Shëndetësisë me kryetarët e të gjitha Odave, ku ishte vlerësuar përmbyllja me sukses e ciklit të themelimit të pesë odave të profesionistëve shëndetësor, kompetencat te Odat do të barten sa më parë që ka mundësi të bëhet dhe sa më parë që Odat zhvillohen për t’i marrë ato, sepse, në fund të fundit, ka qenë vet Ministria që ka hartuar Ligjin për Odat dhe që ka vendosur që komuniteteve mjekësore t’u jepet vetëqeverisje për të ushtruar shumë prej kompetencave që tash i ushtron Ministria.

Deklaratat e pamatura të kreut të njërës prej Odave, apo të ndonjë individi larg zhvillimeve të odave, veçse tregojnë fatkeqësisht se Oda e Mjekëve, që është krijuar e para, ka ngecur në raport me katër odat e tjera të themeluara më vonë, për mungesë vizioni të kreut të saj, e cila, në vend të akuzave pa përmbajtje e argumente, do të bënte mirë t’i shpjegojë komunitetit mjekësor dhe opinionit, sikur e kërkon edhe vet neni 43 i Ligjit të Odave për çështjet e rëndësishme nga fushëveprimi i kësaj ode dhe aktivitetet e realizuara, nëse ka bërë diçka të tillë.

Së fundi, për Odat e tjera, mund të flasin përfaqësuesit e tyre, të cilat ndryshe nga Oda e Mjekëve, janë munduar që pas zgjedhjes së organeve të tyre përmes frymës së bashkëpunimit të zhvillohen e përgatiten për të marrë kompetencat dhe ushtruar ato sipas ligjit. Në këtë aspekt, të gjitha Odat e Profesionistëve, do ta kenë pa dallim mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

 

 

 

 

Me respekt,