Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Diplomati austriak Erhard Busek viziton Ministrinë e Shëndetësisë dhe Neonatologjinë në QKUK

Ministri Imet Rrahmani e ka falënderuar z. Busek për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës dhe takimin kohë më parë të zhvilluar në Forumin Alpbach, duke theksuar se diskutimet në këtë forum, kanë nxitur edhe më tej bashkëpunimin kosovaro-austriak në shëndetësi dhe kanë definuar edhe disa lëmi me interes të thellimit të bashkëpunimit, në veçanti që lidhen ne kujdesin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë. 

Prishtinë, 5 tetor 2015

Në kuadër të shënimit të festimeve të Miqësisë Austriako- Kosovare, përkatësisht mbajtjes së Ditëve të Shëndetësisë Austriako-Kosovare, sot në në Ministrinë e Shëndetësisë për vizitë ka qëndruar diplomati i shquar austriak, Erhard Busek, ish-Koordinator i Paktit të Stabilitetit i Bashkimit Evropian.

Ai është pritur nga Ministri i Shëndetësisë, z. Imet Rrahmani dhe bashkëpunëtorët e tij, i cili e ka njoftuar z, Busek me zhvillimet aktuale në shëndetësinë e Kosovës, projektet në zhvillim, sfidat dhe planet.

Ministri Rrahmani e ka falënderuar z. Busek për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës dhe takimin kohë më parë të zhvilluar në Forumin Alpbach, duke theksuar se diskutimet në këtë forum, kanë nxitur edhe më tej bashkëpunimin kosovaro-austriak në shëndetësi dhe kanë definuar edhe disa lëmi me interes të thellimit të bashkëpunimit, në veçanti që lidhen ne kujdesin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Busek është interesuar rreth organizimit të sistemit shëndetësore, problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohet shëndetësia në Kosovë, imunizimin, shëndetin e përgjithshëm të popullatës dhe aspekte te tjerë që lidhen me edukimin shëndetësor.

Në këtë pikë, Ministri Rrahmani ka thënë se është shumë me interes bashkëpunimi në fushën e edukimit të vazhduar profesional të profesionistëve shëndetësor të gjitha niveleve, për faktin se shërbimet të cilat u ofrohen qytetarëve të vendit duhet të jenë sa më cilësore dhe të krahasueshme me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë.

Ai e ka njoftuar z. Busek edhe me projektet që lidhen me investime kapitale qoftë përmes fondeve të Ministrisë së Shëndetësisë apo edhe ndihmën e komunitetit të donatorëve.

Më pas, z. Busek, Ministri Rrahmani dhe Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Gani Shabani, kanë vizituar Klinikën e Neonatologjisë të Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës ku janë pritur nga drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj dhe drejtoresha e kësaj klinike, Minivere Hoxha, e cila e ka njoftuar z. Busek në detaje për punën që bëhet aty, indikatorët që lidhen me shëndetin e nënës dhe fëmijës, sfidat dhe programet që zhvillon kjo klinikë.

Në këtë takim, Z. Busek dhe Ministri Rrahmani e kanë vlerësuar si një fushë me prioritet shëndetin e nënës dhe fëmijës për të mbështetur ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe, në bashkëbisedim edhe me personelin e klinikës, u theksua fakti se vdekshmëria e foshnjave në Kosovë ka shënuar rënie dhe po punohet në uljen e mëtejme të saj.

Të martën ndërkaq, do të vazhdojë aktivitetet në kuadër të Ditëve të Shëndetësisë Kosovare-Austriake, ndërsa një panel i diskutimeve në temën profesionale mjekësore, do të mbahet në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, në të cilën ekspertë të MSh-së të fushave të caktuara dhe austriakë, do të diskutojnë për tema që lidhen me shërbimet shëndetësore, edukimin dhe menaxhimin shëndetësor.

Erhard Busek, është kryetar nderi i Forumit të njohur “Alpbach” që paraqet një platformë të diskutimit intelektual ku zhvillohet trashëgimia kulturore, shkencore dhe humanitare dhe ku promovohet integrimi evropian, ndërsa ai ka shërbyer si Koordinator i BE-së për Paktin e Stabilitetit; është këshilltar i Iniciativës Ekonomikë në Kosovë që nga viti 2008, ndërkohë që gjatë mandatit të tij si Ministër i Arsimit i Austrisë, mundësoi pranimin e diplomave kosovare në shkollat austriake gjatë viteve të nëntëdhjeta.