Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dhe OBSH shënojnë Ditën Botërore të kancerit

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se Dita Botërore kundër është një moment i mirë për të fuqizuar  përpjekjet individuale dhe kolektive për parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe zvogëlimin e barrës së saj, si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në atë social e ekonomik. 

Prishtinë, 4 shkurt 2016 

Me moton: “Ne mundemi, unë mundem”, Ministria e Shëndetësisë, Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit, shënuan sot përmes një konference për media 4 Shkurtin-Ditën Botërore kundër Kancerit.

Në këtë konferencë, u tha se shumë lloje të  kancereve mund të parandalohen duke shmangur ekspozimin ndaj faktorëve të përbashkët të rrezikut, siç është tymi i duhanit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e kancereve mund të shërohen në mënyrë kirurgjike, me  terapi rrezatimi apo kimioterapi, sidomos nëse ato zbulohen herët.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se Dita Botërore kundër është një moment i mirë për të fuqizuar  përpjekjet individuale dhe kolektive për parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe zvogëlimin e barrës së saj, si në aspektin shëndetësor, ashtu edhe në atë social e ekonomik.

Gjithashtu, shtoi Ministri, një mundësi e mirë për të analizuar të arriturat, sfidat dhe hapat e ardhshëm për një parandalim dhe kontroll më efektiv të sëmundjes.

Në këtë rrafsh ai tha se MSh përmes Bordit për Kontrollin e Kancerit ka arritur të nxjerrë dhe fuqizojë fletëparaqitjen e sëmundjeve malinje dhe është hartuar Programi Kombëtar për Kontrollin e Kancerit; është miratuar Ligji për Kontrollin e Duhanit si kontribut i drejtpërdrejt; anë rritur fondet për trajtimin jashtë QKUK-së të rasteve të leukemisë dhe sëmundjeve të rënda kirurgjik ashtu edhe në aplikimin e Kimioterapisë, Radioterapisë, Shërimit paliativ ditor dhe Diagnostikës së gjirit; etj. Ministri ka theksuar se në radioterapi (në Onkologji) është shkurtuar koha e pritje që është më e shkurtra në rajon, afërisht e njëjtë me vendet e BE-së dhe brenda ditës trajtohen deri në 70 raste, kurse në Kimioterapi trajtohen prej 100-210 raste brenda një dite (12 orëve). Ai ka përmendur edhe përmirësimin e furnizimit me citostatikë që në vitin 2015 në Onkologji ka arritur deri në mbi 90 %, suksesin e projektit të Mamografisë mobile, përmirësimin e raportimit të sëmundjeve malinje etj.

Në këtë aspekt, Ministri ka falënderuar edhe partnerët si OBSH, UNFPA, OJQ Jeta Vita, Grupin e Grave Deputete, Task- Forcën Kosovare, Shoqatën e Onkologëve, Projektin Hope (SHBA) si dhe profesionistët shëndetësor për rezultatet e arritura.

Ai tha se  qëllimi i ditës së sotme është që gjithashtu të shprehet një solidarizim me të gjithë të prekurit, ndërkohë që theksoi se parandalimi i hershëm shpëton jetë.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla tha se kanceri është një problem global i shëndetit publik, ndërsa incidenca e kësaj sëmundjeje është në rritje në Rajonin Evropian të OBSH-së.  “Numri i përgjithshëm i rasteve të reja të diagnostikuara të kancerit në vitin 2012 ishte 3.7 milionë dhe deri në vitin 2030, ky numër vlerësohet që do të rritet për 25% për të arritur në 4.6 milionë”, tha dr. Syla.

Duke rikujtuar se kjo rritje në botë është rezultat i rritjes së moshës së popullsisë dhe një numri të madh faktorësh si përdorimi i duhanit e alkoolit, dietat jo të shëndetshme, mos aktiviteti fizik, mbipesha në rritje, ekspozimi në karcinogjen profesional e mjedisor, dr. Syla ka kërkuar nga autoritetet shtetërore që të rrisin vëmendjen ndaj kësaj sëmundje, të zbatojnë një qind për qind Ligjin për Kontrollin e Duhanit dhe të avancohet me zhvillimin e programeve të skriningut të kancerit.

Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, kryetare e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe gjithashtu e Task Forcës Kosovare kundër Kancerit, tha se qëllimi i këtyre mekanizmave kundër kancerit është që të arrihet një unifikim i veprimeve profesionale për të siguruar një qasje shumë dimensionale në diagnostikimin, parandalimin dhe trajtimin e kancerit në Kosovë.

“Me që kanceri është vrasës prijës i shëndetit në botë, që kërkon qasje multidisplinare, përfshire diagnostikimin, parandalimin, trajtimin, pasjeje e teknologji të reja, profesionistë të përgatitur, do të punojmë që të gjitha hallkat të veprojnë mirë, përfshirë edhe kujdesin paliativ”, tha dr. Manxhuka. Ajo tha se fokusi i Bordit të ri për Kontrollin e kancerit do të jetë planifikimi i regjistrimit të rasteve , parandalimi dje trajtimi (detektimi i hershëm i rasteve) si dhe trajtimi dhe kujdesi paliativ.

Për çdo vit, më 4 shkurt, OBSH dhe Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin (IARC) mbështet Unionin Ndërkombëtar për Kontrollin e Kancerit (UICC) për të nxitur mënyra që  lehtësojnë barrën globale të kancerit.