Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Rreth 100 operacione për katër ditë në kuadër të Javës Shëndetësore kosovaro-turke

 

Ministri Imet Rrahmani është njoftuar në një takim që pati sot nga Koordinatori i Projektit mbështetës për Javën e Shëndetësisë Kosovaro-Turke, z. Arif Çetin se deri të enjten mbrëma, ekipet e kombinuara të mjekëve nga Kosova e Turqia kanë kryer 93 operacione,  mbi 140 ekzaminime të ndryshme mjekësore dhe 15 koronarografi në klinika të ndryshme të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës 

Prishtinë,  26.02.2016

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani priti sot Koordinatorin e Projektit mbështetës për Javën e Shëndetësisë Kosovaro-Turke, z. Arif Çetin.

Në këtë takim, Ministri Rrahmai është njoftuar nga z. Çetin se deri të enjten mbrëma, ekipet e kombinuara të mjekëve nga Kosova e Turqia kanë kryer 93 operacione,  mbi 140 ekzaminime të ndryshme mjekësore dhe 15 koronarografi në klinika të ndryshme të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Duke pasur parasysh që operacionet dhe ekzaminimet vazhdojnë edhe të premten,  Çetin, tha se pritet që numri i operacioneve të kryera gjatë Javës së Shëndetësisë Kosovaro-Turke ta kalojë shifrën 100.

Ai tha se mjekët nga Turqia janë shumë të kënaqur me bashkëpunimin me kolegët e tyre nga Kosova, kushtet në të cilat po kryhen ndërhyrjet dhe ajo që u vlerësua si më kryesorja është fakti se të gjitha këto ndërhyrja kanë kaluar pa komplikime mjekësore.

Ministri Rrahmani falënderoi ekipin e profesionistëve shëndetësor nga Turqia dhe vet zyrtarët e lartë të shtetit turk për këtë kontribut të drejtpërdrejt për shëndetësinë kosovare, duke theksuar nevojën e fuqizimit të këtij bashkëpunimi, në veçanti me komponentin e edukimit të vazhduar profesional.

Ministri Rrahmani, ka shprehur idenë që Java e ardhshme e Shëndetësisë Kosovoaro-Turke të zhvillohet edhe në spitalet e përgjithshme në qytetet e tjera që u mirëprit nga delegacioni turk.

Në këtë takim, u theksua se ekipe të mjekëve nga Kosova do mund të shkojnë shumë shpejt në Turqi për të ndjekur programe të edukimit të vazhduar, në kuadër të bashkëpunimit të mirë, të vendosur midis autoriteteve zyrtare të dy shteteve.