Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

“Care for Kosovo Kids” dhe MSh lansojnë projektin e mbështetjes shëndetësore për fëmijët

 

Prishtinë, 15 mars 2016

Përfaqësues të Organizatës “Care for Kosovo Kids” (Kujdesi për Fëmijët e Kosovës), ka lansuar sot projektin  “Çdo fëmijë meriton të fëmijë”, të cilin do ta realizojë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Lansimi i këtij projekti, u bë në prani të përfaqësuesve më të lartë të kësaj organizate, Ambasadorit të Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler dhe Zëvendësministrit të Shëndetësisë Izet Sadiku, disa ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë.

Marrëveshja për mbështetje të këtij projekti ka  për qëllim bashkëpunimin  në fushën e kujdesit shëndetësor, për  trajtimin mjekësor të fëmijëve të sëmurë në Kosovë të cilët nuk posedojnë sigurim shëndetësor dhe fonde të nevojshme për të paguar trajtimin.

Përfaqësuesja e “Care for Kosovo Kids”, znj. Anke Gerrits tha se prej prillit të vitit 2013, kjo organizatë ka ndihmuar tretmanin mjekësor të 60 fëmijëve kosovarë duke siguruar medikamentet për trajtimin e sëmundjeve malinje.  Ajo tha se për të vazhduar projekti, i është dashur edhe ndihma e Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim të mbështetjes së fëmijëve për trajtim nga sëmundjet hematologjike-onkologjike.

Zëvendësministri Izet Sadiku tha se sot promovohet vazhdimi i bashkëpunimit të mirë midis “Care for Kosovo Kids” dhe MSh-së me qëllim që përfitues të jenë fëmijët e Kosovës.  Ai tha se në Kosovë janë bërë përparimi në trajtimin e kancerit tek të rriturit , ndërkohë që po zhvillohen kapacitetet diagnostikuese dhe trajtuese edhe në trajtimin e fëmijëve nga fusha e hamatologjisë dhe onkologjisë.

MSh mbështet këtë projekt në vlerë prej 30 000 eurove në baza vjetore, ndërsa sipas Marrëveshjes,  “Care for Kosova Kids” do të vazhdojë të ofrojë mjekim për hematologj-onkologji përmes Departamentit të Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,  në bazë të ‘nevojave’ për pacientët, prindërit e të cilëve nuk mund të përballojë për të blerë medikamentet dhe gjithashtu, duke ngritur fonde nga donatorë privatë në Holandë, përmes organizimit të ngjarjeve dhe nga donatorë ndërkombëtarë në Kosovë me qëllim t’u ndihmohet fëmijëve.