Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ministri Rrahmani njoftohet me përvojat angleze për mbikëqyrjen dhe përmirësimin e performancës së institucioneve shëndetësore

Prishtinë, 21 qershor 2016

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, është pritur sot në Londër në Shërbimin Nacional Shëndetësor-Përmirësimi (National Health Service-Improvement,  Monitor/NHS Improvement), që është institucion që mbikëqyr dhe mbështet institucionet shëndetësore për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, përdorimin adekuat të resurseve financiare dhe performancës operacionale.

Ministri Rrahmani po qëndron në Londër me ftesë të profesorit Elias Mossialos, themelues dhe drejtor i Shkollës Londineze të Ekonomisë -Shëndetësi (London School of Econonics- Health (LSE-Health), që është pjesë e Universitetit të Londrës.

Gjatë takimit në Monitor/NHS Improvement, Ministri Rrahmani është pritur nga zyrtarët dhe ekspertët e lartë të këtij institucioni në fushën e analitikes, inteligjencës dhe politikave shëndetësore: Zephan Trent, Catherine Mc Donald dhe Jonathan Brown, me të cilët është biseduar për eksperiencat e këtij institucioni në mbikëqyrjen e institucioneve shëndetësore, planin vjeçar të transformimit dhe qëndrueshmërisë, eksperiencat e trusteve, blerja strategjike e shërbimeve shëndetësore dhe sfidat.

Ministri Rrahmani i ka njoftuar bashkëbiseduesit me sistemin shëndetësor në Kosovë, nivelet dhe funksionimin e tij si dhe përgatitjet që po bëhen për të filluar implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore si pjesë e reformës financiare të sistemit. Ai ka mirëpritur gatishmërinë e NHS-Improvement që të ofrojë ekspertizën në çështjet që lidhen me shërbimet shëndetësore, në veçanti monitorimin e performancës dhe aspekteve financiare të shërbimeve.

Gjatë qëndrimit në Londër, Ministri Rrahmani do të ketë takime edhe me autoritetet shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar, pastaj do të pritet në Kujdesin Shëndetësor Britanik, ndërkohë që përveç takimeve me drejtorin e LSE Health, ai do të bëjë një prezantim për sistemin shëndetësor të Kosovës para publikut dhe studentëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, do të vizitojë një qendrën shëndetësore Helix në Imperial College si dhe do të pritet edhe në Shëndetin Publik të Britanisë së Madhe.