Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh dhe ShSKUK diskutojnë për të arriturat në shëndetësi, sfidat dhe hapat e mëtutjeshëm

Prishtinë, 26 gusht 2016

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka kryesuar takimin e mbajtur sot, mes MSh-së dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ShSKUK, ku është biseduar për të arriturat në shëndetësi, sfidat dhe hapat e mëtutjeshëm.

Ministri Rrahmani ka njoftuar të pranishmit për zhvillimet e fundit në kuadër të reformës shëndetësore në përgjithësi, me theks të veçantë për Sigurimet Shëndetësore, Sistemin e Informimit Shëndetësor dhe për fillimin e ri-licencimit të profesionistëve shëndetësorë.

Ai tha se është punuar me një përkushtim të madh në çdo projekt të planifikuar, fokusi më i madh ka qenë në Sistemin e Informimit Shëndetësorë SISh, Sigurimet Shëndetësore dhe krahas tyre në programin e ri-licencimit të mjekëve, dhe është filluar të ri-licencohen mjekët të cilët i plotësojnë parakushtet, sipas kritereve të përcaktuara nga ekspertët për këtë çështje.

“Pilot-projekti i SISh është duke u zhvilluar me sukses në komunën e Prishtinës, dhe MSh është duke punuar intenzivisht për të bërë të mundur shtrirjen e rrjetit të SISh në tërë territorin e Kosovës dhe të vihet në funksion të plotë”, tha Ministri Rrahmani, duke shtuar se nga 1 janari i vitit 2017 do të fillojë edhe mbledhja e premiumeve shëndetësore dhe për këtë proces MSh ka qenë e gatshme kaherë, po për shkak të përgjegjësive të institucioneve të tjera është shtyrë për këtë datë.

“Nga Qershori i këtij viti, MSH ka bartur kompetencat për Edukimin e Vazhdueshëm Profesional dhe çështjet etike te Odat e profesionistëve shëndetësor (përveq Odës së Mjekëve) derisa,  procesin e ri-licencimit do të zhvillojnë së bashku MSH dhe Odat”, tha Ministri Rrahmani.

Ndërsa, për procesin e rilicencimit ka bërë një prezantim dr. Zejdush Tahiri, i cili tha se rilicencimi i profesionistëve shëndetësorë i ka tri faza; në fazën e parë –rilicencohen profesionistët shëndetësorë që kanë 100 pikë akredituese, dhe afati është deri në qershor të 2017; faza e dytë – profesionistëve shëndetësorë që nuk kanë arritur ti mbledhin këto pikë do të ju mundësohen trajnime shtesë dhe faza e tretë  – profesionistëve shëndetësorë që edhe pas këtyre trajnimeve të ofruara me programe të ndryshme, nuk do të mbledhin pikët e nevojshme akredituese do ju nënshtrohen provimit profesional për t’u ri-licencuar.

Në takim pasi është bërë prezantimi i të arriturave në fushën e shëndetësisë, duke i vënë në theks edhe sfidat me të cilat është përballur MSh, pati edhe diskutime nga të pranishmit.

Me këtë rast u bë thirrje për rritjen e përgjegjësisë dhe  bashkëpunimit në mes institucioneve relevante, me qëllim që projektet që janë në proces e sipër të përmbyllen me sukses.