Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

MSh lansoi Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2017-2021

Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti, është jetësimi i vizionit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për të gjithë qytetarët në territorin e Kosovës, tha Ministri Imet Rrahmani

Prishtinë 13 shkurt 2017

Ministria e Shëndetësisë lansoi sot Strategjinë Sektoriale Shëndetësore (SSSh) 2017-2021 që është dokumenti kryesor që përcakton drejtimin dhe qasjen strategjike afatmesme të zhvillimit të sistemit shëndetësor në Republikën e Kosovës.

Prezantimi i këtij dokumenti u bë në Prishtinë, në prani të përfaqësuesve më të lartë të institucioneve shëndetësore, të komunitetit të donatorëve dhe përfaqësuesve të mekanizmave ndërkombëtar, mbështetës të sektorit të shëndetësisë në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se miratimi i SSSh 2017-2021 nga Qeveria e Kosovës, në një format të tillë  dhe me një përmbajtje gjithëpërfshirëse, garanton se shëndetësia më në fund po trajtohet me prioritet.

Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti, tha Ministri, është jetësimi i vizionit për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për të gjithë qytetarët në territorin e Kosovës.

“Analiza e gjendjes aktuale të sistemit shëndetësor ka paraqitur nevojën e zhvillimit të ndryshimeve dhe zbatimit të reformës në sistemin shëndetësor, qoftë në aspektin e riorganizimit të sistemit aktual dhe institucioneve gjegjëse ashtu edhe në sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të sistemit dhe të gjitha hallkat e tjera të ndërlidhura me sektorin e shëndetësisë”, tha Ministri Rrahmani.

Ai më tej theksoi se Strategjia do të shërbejë si bazë për zhvillimin dhe funksionalizimin e një sistemi shëndetësor të reformuar, i cili do të ngre njëherësh edhe kënaqshmërinë e pacientëve me shërbimet shëndetësore të cilat iu ofrohen si dhe ngritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të gjithë sektorit shëndetësor si dhe sigurimin e qasjes së barabartë në shërbime për të gjithë qytetarët.

Në emër të Kabinetit të Kryeministrit Isa Mustafa, lansimin e Strategjisë e ka përshëndetur këshilltarja e tij për shëndetësi, dr. Mybera Mustafa.

Ajo tha se për punë të mira , MSh do ta ketë në vazhdimësi përkrahjen e Kryeministrit të vendit, ndërsa theksoi se Strategjia reflekton prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik; qeverisjen e mirë; fuqizimin e sundimit të ligjit; promovimin e partneritetit publiko-privat si dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe mirëqenien sociale.

Në emër të komunitetit të donatorëve, ka folur Ambasadorja e Qeverisë së Luksemburgut, znj. Anne Dostert, e cila theksoi se prezenca e komunitetit të donatorëve dhe partnerëve në takim tregon për rëndësinë që ka për sektorin shëndetësor miratimi i Strategjisë Sektoriale Shëndetësore.

Duke shprehur zotimin për një përkrahje të komunitetit të donatorëve për reformën shëndetësore, Dostert tha se shpreson që pacienti do të jetë në qendër të veprimeve në kuadër të kësaj strategjie, me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore dhe zhvillimin e reformës.

Drejtori i Departamentit të Zhvillimit Strategjik (Msh), dr. Naim Bardiqi, tha se SSSh i ka tre objektiva: Ruajtja dhe përparimi i Shëndetit; Sigurimi i financimit të qëndrueshëm shëndetësor; dhe riorganizimi i sektorit të shëndetësisë.

Këto tre objektiva janë prezantuar nga prof. dr. Merita Berisha (IKSHP), dr. Xhevat Ukaj (AFSH) dhe dr. Arbëresha Turjaka (Msh).

Më pas ka pasur edhe diskutime nga të pranishmit në këtë prezantim.

Hartimi i këtij dokumenti është përkrahur nga Qeveria e Luksemburgut dhe donator të tjerë, Qeveria e Zvicrës, Banka Botërore, Agjensionet e KB  në shëndetësi (OBSH, UNICEF dhe UNFPA), etj.

SSSh 2017-2021 është miratuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës më 14 dhjetor 2016.