Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Komunikatë për media

Ministri Agani njoftoi gazetarët se pak minuta para se të fillojë bastisja, Policia e ka njoftuar atë se do ta kryejë një bastisje nën dyshimet për korrupsion.

Ministri tha se MSh ka ofruar bashkëpunim me organet e rendit, përfshirë edhe katër zyrtarët që janë ndaluar nga Policia, të cilët kanë bashkëpunuar me Policinë dhe aksioni i tyre është kryer në mënyrë korrekte dhe në bashkëpunim të dyanshëm.

 

“Ne jemi të interesuar si Ministri e Shëndetësisë që hetimet të cilat janë bërë ndaj zyrtarëve të Ministrisë të përfundohen me sukses dhe krejt rasti të qartësohet, ashtu që Ministria e Shëndetësisë të mund të vazhdoj me procesin e reformave brenda sistemit shëndetësor”, deklaroi Ministri Agani.

Ai tha se nga Prokurorja e EULEX-it nuk është njoftuar në detaje me lëndët për të cilat po hetohen zyrtarët e MSH-së, por theksoi se Ministria ka shprehur gatishmërinë që komunikimet dhe bashkëpunimi të jetë i plotë edhe në periudhën e ardhshme.

Ministri Agani tha se një situatë e këtillë , normalisht që i vështirëson punët në Ministri, por Ministria pret që pas kësaj ngjarje, të qartësohen dilemat  e ngritura  rreth lëndëve të caktuara që kanë qenë pjesë e debateve edhe aty ku nuk e kanë vendin.

“Në një Ministri që mbetet pa Sekretar të Përgjithshëm dhe tre zyrtarë të lartë brenda ditës nuk mund të flitet për punë më të lehtë,” tha Ministri Agani duke shtuar se “ajo që do ta lehtësojë MSh-në është fakti se pas kësaj ngjarje do të hiqen dilemat se kush është përgjegjës përkitazi më lëndët e caktuara, të cilat kanë qenë shpesh herë tema të  shkrimeve në media e polemikave të ndryshme.

“Unë nuk dua të them që Ministria do ta ketë më lehtë në periudhën e ardhshme, por do ta ketë më lehtë në një aspekt tjetër, sepse do të lirohet nga një barrë e rëndë e hipotekave dhe akuzave të përsëritura për korrupsion në nivele të ndryshme sidomos të Prokurimit. Përgjigjën për këto çështje do ta kemi nga organet meritore të drejtësisë dhe në këtë aspekt, Ministria do të jetë më e relaksuar, sepse do ta ketë përgjigjen faktike dhe reale”, tha Ministri.

“Unë nuk dua të bie ndesh me deklarimet e mia të mëhershme dhe para dy javësh kur i paraqitëm sukseset e MSh-së për vitin e kaluar, edhe këta zyrtarë kanë qenë pjesë e atyre rezultateve dhe sukseseve, prandaj jam i prirë t’i shoh drejt gjërat, jo bardh e zi”, theksoi më tej Ministri, duke shtuar se me interesim pret fjalën përfundimtare  të organeve të drejtësisë.

“Ky rast duhet parë nga këndvështrimi se tërë procesi hetimor, do t’u mundësojë të hetuarve që të pastrohen ndaj akuzave të tyre të bërë në mënyrë të përsëritur nëse janë të pafajshëm, ose do të mundësojë që nëse ata kanë kryer vepra penale të marrin dënimin e merituar”, tha Ministri Ferid Agani.