Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Adresimi i Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, drejtorit të IKSHPK-së Naser Ramadani dhe Drejtorit të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj para mediave lidhur me Covid-19.

Ministri Arben Vitia

Së bashku me drejtorin e IKSHPK-së prof. Naserin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj jemi këtu sot para jush për t’iu sqaruar dhe informuar për situatën në vend pas rasteve të reja me Covid-19.

Në IKSHPK të premten deri pas mesnate janë testuar 243 mostra.

Pozitiv 9.

Janë shëruar edhe 6 të tjerë. Gjithsej të testuar 1.74, pozitiv 135, të vdekur 1, të shëruar 16.

Deri sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje: 2772 persona.

Dje janë testuar 93 persona në veri dhe 3 nga mostrat kanë rezultuar pozitive. IKSHP do të vazhdoj që konform situatës ashtu si në çdo pjesë të vendit tonë të vazhdoj me testimet dhe masat tjera në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit dhe shëndeti I qytetarëve në çdo pjesë të vendit.

Janë marrë të gjitha masat shëndetësore, institucionale, të higjienës, të parandalimit, të furnizimit dhe gjithçka që nevojitet për këto komuna. Falë punës së profesionistëve shëndetësorë, policisë dhe mbi të gjithë falë organizimit të shtabeve emergjente në komunat në fjalë.

Do të bëjmë çmos që ta izolojmë  përhapjen më tej dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur me mjekët tanë për shëndetin e qytetarëve të prekur.

Sa i takon vendosjes në karantinë të dy komunave në veri të Kosovës janë marrë masat të cilat sipas Protokollit tashmë janë të përcaktuar nga epidemiologët.

Veprimet për rastet e infektuara dhe parandalimin i përhapjes është i përcaktuar ndërkombëtarisht nga udhëzimet e OBSH-së dhe ECDC.

Me të njëjtin protokoll veprojnë dhe profesionistët tanë në gjurmimin e rasteve të reja dhe parandalimin e përhapjes së virusit.

Shpresojmë shumë që të gjithë së bashku t’ia dalim ta fitojmë këtë betejë sfiduese për vendin dhe gjithë botën.

Jemi në koordinim zyrtar me kryetarët e komunave të Mitrovicës e Zveçanit. Do të koordinohemi, po ashtu,  dhe me komunat fqinje në ditët në vijim dhe me institucionet e qytetarët që me kujdes, vetdisiplinë dhe shumë solidaritet mes nesh të mbërrijmë fitore dhe të shpëtojmë jetë, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë.

Jam në dijeni për deklaratat e shumta sot të karakterit politik, por po kërkoj si kudo në botë, solidaritet e mirëkuptim. Pandemia Covid-19 është kërcënim për gjithë njerëzimin. Përballimi i saj kërkon durim, përkushtim dhe injorim të dallimeve të ndryshme.

Prandaj, kujdes nga komunikimet e pasaktësuara ngase një minutë deklaratë mund të përkthehet një situatë e rënduar në terren.

I ftojmë qytetarët që të ndjekim këshillat e vendimet tona.

Të dëgjojnë e respektojnë këshillat dhe të jenë të sigurt e të respektojnë instruksionet që zyrtarët policorë, heronjtë tanë të këtyre ditëve, bashkë me mjekët japin në terren.

Të dashura qytetare dhe qytetarë,

Ju lutemi që të shmangni vizitat familjare dhe forma të tjera të grumbullimit brenda familjeve tuaja. Ruajeni shëndetin tuaj edhe të familjarëve.

Të dashur qytetarë kudo ku jeni

– MENDOHUNI DY HERË PARA SE TË VENDOSNI TË DILNI NGA BANESA.

MOS GJENI SHKAK PËR TË DALË PATJETËR.

ÇDO DALJE BART RREZIKSHMËRI TË LARTË.

Gjithçka ka ndërruar në rutinën tonë. Kjo kërkon vetëdijesim të lartë.

Mos u tregoni të shkujdesur.

Prandaj, ju lutemi të:

Qëndroni në shtëpi.

Ndiqni rekomandimet e MSh-së dhe IKShPK-së.

Bashkë do t’ia dalim!

Profesor Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së:

Profesor Ramadani tha se situata epidemiologjike për sa i përket Covid-19 në Kosovë është nën kontroll dhe shifrat e regjistruara janë brenda pritjeve të IKSHPK-së, porse, tha që popullata duhet të jetë shumë më e kujdesshme në zbatimin e masave të Qeverisë, rekomandimeve të MSH-së e IKSHPK-së, duke mos dalë dhe ekspozuar pa nevojë, sikur po vërehet shpesh.

“Jemi në një moment vendimtar, dhe ne e kemi situatën ende nën kontroll, për aq sa qytetari e ka nën kontroll vetveten”, tha Profesor Ramadani, duke shtuar se ditëve të fundit është rritur ndjeshëm numri I mostrave të testuara për Covid-19.Tri javët e ardhshme janë kritike, prandaj, tha ai, “u bëj thirrje qytetarëve që t’i shmangin daljet, të mos tubohen dhe të qëndrojnë në shtëpi”.

“Nuk ka vend për kënaqësi, derisa ta largojmë virusin nga trevat tona”, ka shtuar profesor Ramadani.

Rashit Qalaj:

Kurse, drejtori I Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se s’ka pikë dyshimi që ky institucion po vepron në krejt vendin. “Janë veprime që koordinohen me institucionet tona qendrore dhe ato lokale. Nga aspekti i sigurisë është e qetë dhe e sigurt falë punës së palodhshme të policisë por edhe institucioneve të tjera”.

Ai u bëri thirrje bizneseve që të lirojnë punëtorët nga ora 16:00, në mënyrë që në ora 17:00 ata të kenë arritur në shtëpitë e tyre, derisa theksoi bashkëpunimin e mirë të Policisë me institucionet e tjera dhe qytetarët në menaxhimin e situatës. Vitia tha se në IKSHPK, dje deri pasdite janë testuar 443 raste ku pozitivë kanë rezultuar 9.