Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Agani: Vit i suksesshëm përkundër sfidave të vështira

 

Agani: Vit i suksesshëm përkundër sfidave të vështira

 

Prishtinë, 27 dhjetor 2013

 

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha sot se viti 2013 ishte një vit i suksesshëm përkundër sfidave të vështira në ballafaqim problemet e përditshme për përmirësimin e sistemit shëndetësor.

“Gjatë këtij viti, Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë kontributin e saj në betejën e Qeverisë së Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për eliminimin e hipotekave të mëhershme të sistemit, por edhe në ballafaqim me të rejat që mund të shfaqen”, tha Ministri Agani.

Ai deklaroi kështu në konferencën përmbyllëse me media të MSh-së për vitin 2013, në të cilin është bërë një rekapitullim i rezultateve të punës përgjatë një viti në sektorin shëndetësor, me theks në të arriturat e sektorit.

Ministri Agani tha se lufta kundër dukurive korruptuese është intensifikuar në veçanti në sektorin farmaceutik, me qëllim që në vitin 2014, procesi i reformave të vazhdojë në një sistem shëndetësor të liruar nga hipotekat.

Në kuadër të arriturave për vitin 2013, Ministri përmendi sukseset në fushën legjislative me miratimin dhe fillimin e implementimit të tre ligjeve të reja: Ligjit për Shëndetësi, Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor.

Që të tre këto ligje kanë dhënë efektet e tyre: Ligji për Shëndetësi në riorganizimin e sistemit shëndetësor dhe hapjen e rrugës së reformës, Ligji për Kontrollin e Duhanit në ndikimin e drejtpërdrejt në shëndetin publik dhe Ligji për Odat në krijimin e institucioneve të veçanta siç është Oda e Mjekëve të Kosovës, që do të ushtrojë në të ardhmen një sërë kompetencash që deri tash i ka pasur MSh-ja, theksoi Ministri Agani.

Ai tha se MSh ka arritur që në Qeveri të dërgojë edhe tre projektligje si Projektligji për Sigurime Shëndetësore, Projektligji për Shërbimin Emergjent Mjekësor dhe Projektligjin për Shëndetin Mendor, prej të cilave, MSh-ja pret një reformim substancial të sistemit të financimit të shëndetësisë përmes Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili parashihet të miratohet vitin që vjen.

Ministri ka prezantuar edhe të arriturat në fushën e shërbimeve shëndetësore, duke veçuar funksionalizimin e plotë të Kimioterapisë dhe Radioterapisë në Institutin e Onkologjisë në QKUK, startimin e Kardiokirurgjisë si shërbim i ri në sektorin publik, avancimin e shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme si dhe investime të shumta në infrastrukturën e tre niveleve të Kujdesit Shëndetësor.

Në kuadër të politikave shëndetësore, Ministri ndër të tjera përmendi hartimin e Draft- Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2014-20120, Planin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, Planin Nacional për Kontrollin e Kancerit, Planin Shtetëror për parandalimin e keqpërdorimit të substancave psiko-aktive, etj.

Ministri ka folur edhe për zhvillimet në shtrirjen e Sistemit të Informimit Shëndetësor në institucionet të Kosovës që është në ngritje e sipër, shërbimet shëndetësore të ofruara për komunitetet pakicë, shkallën e lartë të vaksinimit të fëmijëve prej mbi 95 për qind, kontratat e nënshkruara më spitalet për performancë dhe në veçanti numrin e mirë të punësuarve në sektorin shëndetësor gjatë këtij viti.

“Kemi arritur të parandalojmë ikjen e trurit jashtë vendit, duke punësuar 299 specialistë (35 të tjerë ë proces të rekrutimit) dhe duke mbështetur financiarisht 266 specializantë ( që kanë qenë me vetëfinancim) përmes skemës stimuluese”, theksoi Ministri Agani.

Ministri ka folur edhe për problemet në shëndetësi, ku ka veçuar furnizimin jo adekuat të institucioneve me barna dhe material shpenzues, si pasojë e menaxhimit jo adekuat duke përfshirë edhe planifikimin dhe mundësitë e kufizuara financiare, për çka, prej vitit që vjen, institucionet shëndetësore do të jenë ato që vet do ta menaxhojnë procesin e planifikimit dhe blerjes së barnave në bazë të buxhetit që e kanë, dhe Ministria do të ketë rolin e saj monitorues, kontrollues dhe inspektues, por nuk do të ndërhyjë në çështje që do të jenë kompetencë ekskluzive menaxheriale e institucioneve shëndetësore.

Në këtë konferencë për media, Ministri ka falënderuar edhe donatorët për kontributin e tyre të dhënë në reformën shëndetësore (Banka Botërore),  në furnizimin me barna (Project- Hope), Fondin Global për Programin e TB/HIV, Qeverinë italiane për projektin e Kardiokirurgjisë/parandalimi i infeksioneve spitalore, Qeverinë amerikane dhe Ushtrinë amerikane për renovimin e Kirurgjisë dhe Klinikës infektive në QKUK, Lux Development për mbështetje në zhvillimin e SISH, Qeverinë Japoneze për trajnime, Komisionin Evropian për ekspertizë profesionale, UNICEF/UNFPA/OBSH për përkrahje në shëndetin e nënës dhe fëmijës, Qeverinë austriake për kredinë dhe donatorët e tjerë që kanë shprehur interesim të veçantë për të ndihmuar shëndetësinë kosovare.

Ministri Agani ka thënë se pret që gjatë vitit 2014, reforma që ka filluar t’i jap rezultatet e saj, duke e pasur në qendër të vëmendjes pacientin kosovar dhe profesionistët shëndetësor, pa të cilat nuk mund të zhvillohet ajo.