Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

AKPPM licencon Barnatoren Qendrore të QKUK-së

Prishtinë, 18 gusht 2015

Me rastin e licencimit të Barnatores Qendrore të QKUK-së, e cila për herë të parë pajiset me Licencë nga kjo Agjenci – përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, U.D Kryeshefi i AKPPM-së, Arianit Jakupi priti sot në AKPPM Drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Dr Curr Gjocaj, me ç’rast edhe e falënderoi për bashkëpunimin profesional që po bëhet në mes të SHSKUK-së dhe AKPPM-së.

Pajisja me Licencë e Barnatores Qendrore, gjithashtu, bën që kjo barnatore të licencohet edhe për operim me barnat narkotike, ku AKPPM dorëzon librat e operimit me narkotikë që në mënyrë strikte paraqesin kontrollin e zinxhirit të narkotikeve prej ordinuesit-mjekut deri te pacienti.

Gjatë takimit u diskutua edhe për shumë çështje të tjera të sektorit farmaceutik dhe të shërbimeve që ofrohen nga AKPPM në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës.

Me këtë rast, të parit të SHSKUK-së, U.D, kryeshefi Arianit Jakupi i dhuroi 500 kopje të Regjistrit të barnave 4 dedikuar profesionistëve shëndetësorë që punojnë në SHSKUK, si ndihmesë në punën e tyre të përditshme gjatë përshkrimit të terapisë, ku mund t’i gjejnë informatat më të reja lidhur me barnat të cilat janë të regjistruara në Kosovë, përkatësisht ato që posedojnë Autorizimin Marketing nga AKPPM.