Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Akreditimi ndërkombëtar i Programit të Shkollimit Specialistik të Mjekësisë Familjare –sukses i veçantë për shëndetësinë kosovare

Kryeministri Isa Mustafa, tha se akreditimi i këtij program është një moment i veçantë për shëndetësinë kosovare dhe gëzon fakti që ky program i akredituar është i pari në Republikën e Kosovës dhe shembull i mirë edhe për rajonin.

Prishtinë, 15 maj, 2015

Akreditimi-certifikimi ndërkombëtar i Programit të Shkollimit Specialistik të Mjekësisë Familjare të Kosovës-MRCGP INT, është një sukses i veçantë dhe historik për shëndetësinë kosovare.

Kështu u tha sot në ceremoninë e zhvilluar në Qendrën e Zhvillimit të Mjekësisë Familjare në Prishtinë (QZHMF) me rastin e akreditimit të këtij programi nga ana e Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm të Mbretërisë së Bashkuar, në të cilën mori pjesë Kryeministri Isa Mustafa, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani si dhe përfaqësues të lartë nga Ambasada e Britanisë së Madhe, Luksemburgut dhe partner të tjerë që kanë kontribuar në këtë proces.

Kryeministri Isa Mustafa, tha se akreditimi i këtij program është një moment i veçantë për shëndetësinë kosovare dhe gëzon fakti që ky program i akredituar është i pari në Republikën e Kosovës dhe shembull i mirë edhe për rajonin.

“Ky rezultat flet për përkushtimin tonë që t’i arrijmë standardet ndërkombëtare në shëndetësi dhe të kemi një shëndetësi cilësore” , tha ai.

Kryeministri falënderoi Qeverinë e Britanisë së Madhe që ka mbështetur reformën në Mjekësinë familjare  si dhe Qeverinë e Luksemburgut, agjensionet e tjera dhe Fakultetin e Mjekësisë që me ekspertizë kanë mbështetur këtë program. “Ju siguroj se Qeveria e Kosovës i jep përkrahje të pa rezervë fuqizimit të shëndetit, duke mbështetur të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, sepse jemi të interesuar që të sigurojmë shëndetësi dhe shërbime të mira për të gjithë qytetarët e vendit”, tha kryeministri Mustafa.  “Nuk mund ta paramendojmë një zhvillim ekonomik pa një shëndet të mirë për popullatën”, theksoi më tej Kryeministri, duke theksuar faktin se Qeveria e Kosovës e ka vendosur shëndetësinë si prioritet të saj dhe vlerëson se objektivat mund të arrihen vetëm me një partneritet të mirëfilltë me partnerët ndërkombëtare dhe qytetarët

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, tha se akreditimi i Programit të Shkollimit Specialistik të Mjekësisë Familjare është një rezultat historik dhe se akreditimi do të jetë një pikënisje për reformën në Mjekësinë familjare dhe programin specialistik.  Ai tha se përvoja në këtë program do të mundësojë që të arrihen rezultate konkrete dhe të arrihen standardet e kërkuara, ndërsa e vlerësoi si shumë të rëndësishëm dhe u shpreh falënderues edhe për partnerët ndërkombëtare që kanë ndihmuar në zhvillimin dhe akreditimin e këtij programi.

Zëvendës-ambasadorja e Britanisë së Madhe, Louise Taylor, tha se akredimi është një e arritur e madhe për Mjekësinë familjare në Kosovë, zhvillimi i së cilës është çelës për zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë.

Përfaqësues i Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber tha se dita e sotme është e veçantë për shëndetësinë kosovare dhe akreditimi si një e arritur është një pikënisje e një procesi të gjatë dhe që do të vazhdojë për të ndihmuar ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës.

“Pacientët duhet t’u besojnë mjekëve të Kujdesit Parësor Shëndetësor që do të akreditohen dhe kjo do të ndikojë edhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve”, tha Weber, duke theksuar se prania e Kryeministrit në këtë ceremoni, flet për përkushtimin që Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i kushtojë shëndetësisë.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Salih Ahmeti, tha se kjo e arritur e bën krenar edhe këtë fakultet, i cili me stafin e vet, përmes ekspertizës profesionale, ka qenë i angazhuar në zhvillimin e Mjekësisë familjare dhe arritjen e akreditimit të programit.

Kurse, dr. Genc Ymerhalili, drejtor i Qendrës së Zhvillimit të Mjekësisë familjare në Prishtinë,  tha se kur shikohet kjo e arritur tani për Mjekësinë Familjare, suksesi duhet kërkuar në përkushtimin e të gjithëve së bashku, ndërsa zanafilla është në vitin 1999, kur filloi të ndërtohet koncepti i zhvillimit të Mjekësisë familjare në Kosovë.

“Akredimi i këtij program është një sukses, që është arritur pas një pune të përkushtuar për pesëmbëdhjetë vjet, dhe me një mbështetje të fortë të partnerëve ndërkombëtarë si Mbretëria e Bashkuar, Qeveria e Luksemburgut, dhe partnerëve të brendshëm në Kosovë”, tha ai.

Në këtë ceremoni, në mënyrë simbolike disa prej specialistëve të Mjekësisë familjare iu dorëzuan certifikatat e akreditimit të programit specialistik të ndjekur dhe përfunduar prej tyre.