Shkaqet janë të ndryshme, por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet, ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike.
Sipas Policisë së Kosovës, faktorët kryesor të cilët ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve janë të ndryshëm, duke filluar nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës
Qyetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor sidomos brengosës është fakti se ndër viktima ka të përfshirë shumë fëmijë.
Vërehet mungesë të edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve. Infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes.
Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundravajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Duhet të kuptohet nga të gjithë se jeta është më e shtrenjtë nga një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor. Andaj, bëjmë apel te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme e sidmos këtyre muajve të verës kur ka shtim të numrit të veturave në komunikacion.
REKOMANDIME
Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës;
Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijësohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e pare;
Angazhimi i mas medieve në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve;
Në institucionet shkollore të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit;
Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve;
Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese;
Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve dhe të kompletohet sinjalizimi;
Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare;
Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.
Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se po qëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.