Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Arrijnë në Kosovë dozat e para të vaksinës kundër COVID-19 përmes COVAX

Është ky një kontingjent i vogël, por që ngjallë shpresë të madhe për fillimin e shpëtimit të jetëve në vendin tonë, sidomos të personelit tonë shëndetësor dhe grupeve në rrezik, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fjalimin gjatë ceremonisë së pranimit të kontingjentit të parë prej 24,000 dozash të vaksinës AstraZeneca – Oxford COVID-19, të mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. 

Kontingjenti i vaksinave që arriti në Kosovë në ora 19:50, është siguruar nga organizata UNICEF nëpërmjet mekanizmit COVAX.

Kryeministri Kurti falënderoi aleancën GAVI COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë për të siguruar një proces sa më të drejtë e të barabartë të vaksinimit kundër Covid-19 në mbarë botën.

“Vendi ynë është i vogël dhe i varfër, andaj edhe ka nevojë për mbështetje dhe solidaritet nga të gjithë, e sidomos nga miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët edhe janë donatorët kryesor të aleancës GAVI COVAX”, tha Kryeministri Kurti. Ai theksoi se tani është koha që të veprojmë dhe se vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë. “Ajo që unë mund të them është se qeveria që ju keni zgjedhur është në krye të detyrës, po punon ditë dhe natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojmë sa më shumë vaksina”, tha Kryeministri Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në fjalimin e tij, theksoi se arritja e vaksinave të para në Republikën e Kosovës shënon fillimin e një fazë të re në luftën kundër virusit COVID-19. Ministri Vitia bëri të ditur se vaksinimi fillon këtë javë me prioritet personelin shëndetësor. “Personeli shëndetësor kanë qenë dhe janë vija e parë e frontit ndaj virusit COVID-19. Duke qenë jashtëzakonisht falënderues për secilin që tash e një vit është duke luftuar me orë të tejzgjatuna të punës larg nga të dashurit e tyre në shërbim të shëndetit publik”, tha ministri Vitia. Ai theksoi se në ditët, javët, muajt në vijim ajo që na ndihmon të dalim sa më shpejtë nga gjendja e krijuar me COVID-19 është respektimi rigoroz i masave.

Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Zyrës se BE-së në Kosovë, z. Riccardo Serri tha se një vit pasi filloi pandemia e që ende po vazhdon me rritje të shifrave të të infektuarve dhe të vdekjeve sot është dita që shënon ose mund të shënojë fillimin e fundit të COVID-19 në Kosovë. “Të dhënat empirike të vendeve më të avancuara tregojnë se vaksinat janë efektive kundër COVID-19. Një fushatë e mirë mund të kontribuojë që të zgjidhet problemi”, tha z. Serri.

Në emër te shteteve të Quintit, foli ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, z. Nicholas Abbott, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të mbrojnë veten dhe njerëzit përreth duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së virusit.

Përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara e Ekipit për Kosovë, znj. Ulrika Richardson tha se arritja e vaksinës sjellë shpresë, por kjo nuk do të thotë se pandemia ka marrë fund. Ajo falënderoi dhe përgëzoi të gjithë ata që kontribuan që ky kontingjent vaksinash të arrijë sot në Kosovë.

Fjalimi i plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Mirëmbrëma të dashur qytetarë,

I nderuar Ushtrues i Detyrës së Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Z. Riccardo Serri,

Shkëlqesi tuaja, ambasadorë të shteteve të Quintit,

E nderuara Përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara e Ekipit për Kosovë, Znj. Ulrika Richardson,

I nderuar Shefi i zyrës së UNICEF-it për Kosovë, Z. Murat Shahin,

I nderuar shef i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Z. Sergy Koriak,

I nderuar Ministër i Shëndetësisë, Z. Arben Vitia,

Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur këtu tek Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, për të mirëpritur arritjen e kontingjentit të parë të vaksinave në Kosovë.

Është ky një kontingjent i vogël por që ngjallë shpresë të madhe në vendin tonë për fillimin e shpëtimit të jetëve të njerëzve, sidomos të personelit tonë shëndetësor dhe të grupeve të popullsisë në rrezik.

Secila jetë në secilin vend të botës është e çmuar dhe barasvlershme, prandaj, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për solidaritet në përballje me këtë armik të përbashkët për gjithë njerëzimin. Deri tash besoj e kemi mësuar se virusi nuk njeh kufij, racë apo etni dhe se askush në asnjë vend nuk është i sigurtë derisa të gjithë të jemi të sigurtë.

Prandaj më lejoni të falënderoj aleancën GAVI COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë për të siguruar një proces sa më të drejtë e të barabartë të vaksinimit kundër Covid-19 në mbarë botën.

Vendi ynë është i vogël dhe i varfër, andaj edhe ka nevojë për mbështetje të madhe dhe solidaritet nga të gjithë, e sidomos nga miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilët edhe janë donatorët kryesor të aleancës GAVI COVAX.

Gjatë vitit që lamë pas është humbur kohë e çmuar në qeverisjen e mirë, jo vetëm në menaxhimin e pandemisë por edhe në sigurimin e vaksinave dhe përgatitjen e nevojshme dhe profesionale për administrimin e vaksinave, kohë që na ka kushtuar shumë e me shumë jetë njerëzish.

Atë kohë nuk e kthejmë dot mbrapa, siç nuk mund ta kthejmë mbrapa dhjetëra e qindra jetë njerëzish të dashur që kemi humbur.

Por, tash është koha të veprojmë. Vaksinimi duhet të filloj menjëherë dhe pa asnjë vonesë. Kemi 87,981 të infektuar e 1,840 të vdekur. Në dy javët e fundit kemi mesatarisht 10 vdekje në ditë dhe një trend në rritje. Kemi humbur 16 mjekë e 8 infermierë e për një vend me 1.8 milion banorë shifrat e tilla i ngjajnë një kohe lufte, prandaj edhe masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që duhet ta ulin numrin e infektimeve të reja dhe të shmangin vdekjet si pasojë e Covid-19. Sot është tejkaluar numri prej 500 vdekjeve në vitin 2021 në Republikën e Kosovës. Në janar, shkurt dhe deri sot më 28 mars i kemi saktësisht 504 të vdekur në Kosovë nga virusi Covid-19.

Të dashur qytetarë,

Qeveria jonë, qeveria juaj, qeveria që ju keni zgjedhur, është në krye të detyrës, po punon ditë e natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojmë sa më shumë vaksina.

S’ka dyshim se vaksinat do ta komplementojnë por ato nuk e zëvendësojnë dot shëndetin publik, dhe mjetet që tashmë e dimë që funksionojnë, sikurse që janë maskat, distanca, higjiena dhe shmangia e vendeve të mbyllura.

Andaj le të tregohemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Ta ruajmë vetveten dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin dhe të qëndrojmë të bashkuar si kurrë më parë në tejkalimin e pandemisë.

Unë falënderoj mjekët, infermierët dhe të gjithë punonjësit shëndetësor të cilët janë në vijën e parë të frontit, për punën e palodhshme dhe sakrificën që po bëjnë në shpëtimin e jetës. U jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuar e po kontribuojnë për tejkalimin e kësaj krize të rëndë shëndetësore.

Ju falemnderit.

**************************************************

Fjalimi i plotë i Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia

Sonte jemi së bashku në një moment të shumëpritur.

Arritja e vaksinave të para në Republikën e Kosovës shënon fillimin e një fazë të re në luftën kundër virusit COVID-19. Për këtë kontingjent të vaksinave që kanë ardhur sot, falë aleancës GAVI COVAX, ne falënderojmë shtetet dhe organizatat pjesëmarrëse që kanë kontribuar në këtë aleancë për të siguruar një solidaritet botëror në sigurimin e vaksinës për të gjitha shtetet duke arritur një barazi dhe gjithëpërfshirës në këtë betejë të përbashkët.

Ka kaluar më shumë se një vit nga rastet e para në Republikën e Kosovës, dhe sot jemi në një gjendje të rëndë me numër të madh të të infektuarve, me spitale në limite të kapaciteteve të tyre dhe fatkeqësisht me numër të lartë të vdekjeve ditore.

Ashtu siç e tha edhe kryeministri, kohë për të humbur nuk kemi, prandaj dhe do të fillojmë menjëherë me dozat e para, duke filluar aty ku është beteja më e madhe e më e vështirë, pra në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Por, vend për çlirim e relaksim nuk ka sepse edhe pse vaksinimi po fillon nuk do të thotë që pandemisë po i vjen fundi. Ne duhet të bindemi se tani jemi në një realitet të ri. Ne të gjithë duhet të vazhdojmë të respektojmë masat anti-Covid, të mbajmë distancën, ta mbajmë maskën dhe higjienën personale.

Ne po vlerësojmë në vazhdimësi situatën me pandeminë dhe bashkë do të ndërmarrim masat e duhura për të menaxhuar situatën dhe së bashku të ulim numrin e të infektuarave.

Ashtu siç është slogani ynë në këtë rrugëtim “Bashkë ia dalim”, unë ju them që vetëm bashkë ia dalim. Ruajtjen e shëndetit të gjithsecilit e kemi për obligim secili prej nesh dhe kjo arrihet vetëm me respektimin e masave.

Realiteti i krijuar qysh nga fillimi i Pandemisë Covid-19 nuk është i dëshirueshëm e as i pëlqyer por është I tillë që kërkon adaptim nga të gjithë. Të gjithë duhet të sakrifikojmë diçka nga vetja që të ruajmë tjetrin. E di që barra bie tek disa më shumë se të tjerët por duhet ta kuptojmë se virusi nuk e kursen askënd.

Edhe pas fillimit të vaksinimit, respektimi i masave në mënyrë sistematike, siç edhe është dëshmuar në shtetet e tjera që kanë filluar vaksinimin, mbetet kyç.

Gjatë kësaj kohe kemi filluar takimet me të gjitha institucionet shëndetësore, organizatat relevante, dhe partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar rreth gjendjes në të cilën jemi dhe për vendimet e shpejta që duhet t’i marrim. Qysh këtë javë kemi filluar punën intensive për të siguruar doza të radhës së vaksinave. Siç edhe u komunikua gjatë ditës së djeshme, Ballkani Perëndimor do të përfitojë nga Bashkimi Evropian me rreth 650 mijë doza të vaksinës Pfizer.

Vaksinimi fillon këtë javë me prioritet personelin shëndetësor. Personeli shëndetësor kanë qenë dhe janë vija e parë e frontit ndaj virusit COVID-19. Duke qenë jashtëzakonisht falënderues për secilin që tash e një vit është duke luftuar me orë të tejzgjatura të punës larg nga të dashurit e tyre në shërbim të shëndetit publik.

Qytetarë të dashur, më duhet në vazhdimësi të ritheksoj se në ditët, javët, muajt në vijim ajo që na ndihmon të dalim sa më shpejtë nga kjo gjendje e krijuar është respektimi rigoroz i masave.

Respektimin e masave duhet ta bëjmë për veten, por edhe për prindërit e gjyshërit tanë të cilët mund t’i humbasim në çdo moment nëse nuk jemi të kujdesshëm.

Edhe një herë më duhet të shprehi falënderimin dhe mirënjohjen time dhe të qytetarëve për mbështetjen që kemi nga vendet mike. Mbështetja e tyre nuk ka munguar në ditët më të vështira, e as sot që të gjithë së bashku po ballafaqohemi me luftën kundër virusit COVID-19.

Qytetarë të dashur, të jeni të bindur se vetëm me përpjekje të bashkërenduar të të gjithëve do t’i vijë fundi kësaj pandemie.

Bashkë do t’ia dalim!