Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Banka Botërore vlerëson lart MSH-në për angazhimet për Gripin A H1N1

Gjatë këtij takimi është biseduar për përgjigjen që kanë dhënë institucionet shëndetësore të Kosovës ndaj pandemisë së Gripit A H1N1, masave të ndërmarra preventive, sigurimin e medikamenteve dhe procedurave për porosinë e vaksinës.

Delegacioni i BB-së e ka çmuar lart MSh-në për angazhimin për menaxhimin e situatës së gripit në Kosovë si për masat e ndërmarra në kufi, informim të opinionit, sigurim të Tamiflusë dhe përgatitjet në tri nivelet e sistemit shëndetësor.

Ministri Gashi e ka informuar delegacionin e Bankës Botërore për të gjitha masat e ndërmarra, ekskluzivisht sipas rekomandimeve të OBSH-së, sigurimin e terapisë Tamiflu dhe masat e tjera në vazhdimësi në përgjigje sa më adekuate ndaj pandemisë.

Përveç sigurimit të medikamentit Tamiflu, masave preventive dhe komunikimit me publikun, ministri ka theksuar se të premten Kosova do të startojë edhe me laborator për analizën e mostrave të dyshuara për Gripin A H1N1  dhe ka theksuar se fokusi i institucioneve kosovare nuk është vetëm krijimi i këtij laboratori, por që ky laborator të jetë referent për vendet e rajonit dhe i certifikuar.

Kosova aktualisht posedon 27.500 doza të medikamentit Tamiflu, ndërsa Shqipëria 3.000.

Ministri ka falënderuar OBSH-në dhe Bankën Botërore për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës që të prezantojë në konferenca të ndryshme ndërkombëtare ku është diskutuar për përgjigjen ndaj pandemisë, por ka theksuar se Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe si i tillë, ajo duhet të këtë qasje sikur shtetet e tjera si në sigurimin e vaksinave ashtu edhe në çështjet e tjera që lidhen me menaxhimin e pandemisë së Gripit  A H1N1.

Ministri ka thënë se në këtë aspekt, MSH do të vazhdojë bashkëpunimin me OBSH-në, Bankën Botërore dhe organizata të tjera, derisa zyrtarët e BB-së, kanë ofruar mundësinë e bashkëpunimit në lehtësimin e procedurave të ndryshme në sigurimin e vaksinave dhe çështjet të tjera që kanë të bëjnë me Gripin e derrave.

Delegacioni i BB-së është takuar dje edhe me drejtues të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjegjësisht të Klinikës Infektive ku është diskutuar për kapacitetet e kësaj qendre për akomodimin e pacientëve me grip dhe çështjet e tjera që lidhen me përgjigjen klinike ndaj pandemisë.