Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Bie numri i rasteve me tuberkuloz në Kosovë

Dr.  Mybera Mustafa, zëvendësministre e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës,  tha se Dita Botërore kundër TBC-së, është mundësi e mirë për ri -afirmimin e zotimit të MSh-së për ndërmarrjen e të gjitha masat që eliminimin e TBC-së gradualisht ta shndërrojmë në realitet duke zvogëluar rastet dhe duke ulur vdekshmërinë .

“Në kohën kur sipas shënimeve të pulmologëve tanë vetëm gjatë vitit të kaluar kemi pasur rreth 900 raste të TBC-së dhe kur një e treta e popullatës së botës është e infektuar nga kjo sëmundje, dhe ku sipas statistikave në çdo dhjetë sekonda në botë vdes një person nga TBC-ja, MSh e Republikës së Kosovës i inkurajon të gjithë profesionistët që të japin maksimumin nge vetja e tyre, duke i ndihmuar pacientët me mjekim, por edhe duke i vetëdijesuar dhe edukuar të tjerët se tuberkulozi  mund të parandalohet dhe të mjekohet dhe se mjekimi i kësaj sëmundje është falas në vendin tone”, tha Mustafa.

Zëvendësministrja theksoi se fakti që në dy -tre vjetet e fundit në Kosovë ka më pak së 1000 raste të TBC-së brenda një viti, flet se në luftën kundër TBC-së po bëhet punë e mirë , ndërkohë që sfida kryesore mbetet trajtimi i rasteve me tuberkuloz rezistent.

Ajo theksoi se MSh mbetet e përkushtuar të sigurojë në vazhdimësi terapinë për të sëmurët nga TBC që në Kosovë jepet falas, por edhe për sëmundje të tjera, të zhvillojë programe preventive dhe të ngre kapacitetet fizike dhe profesionale në dispozicion në nivel më të lartë duke ngritur edhe kapacitete të reja sikur që është Klinika e Sëmundjeve të Kraharorit, që po ngrihet në Pejë, një institucion ky që pa dyshim do të reflektojë pozitivisht në përpjekjet për eliminimin e TBC-së në Kosovë.  “Mos të harrojmë, ne kemi popullatën më të re në rajon dhe në Evropë, por përveç se e re, ajo na duhet edhe e shëndoshë!”, theksoi zëvendësministrja Mustafa.

Dr. Rukije Mehmeti, menaxhere kombëtare për TB theksoi se numri i rasteve të reja të regjistruara në Kosovë viteve të fundit flet për rënie të TB-së.

“Më 1999ne kishim 1775 raste të reja në vit, më 2009 kishim 901 raste dhe ky është një rezultat inkurajues, por që nuk na lejon komoditet, por kërkon edhe më shumë përpjekje që të arrihet eliminimi I TB në vendin tonë”, theksoi Mehmeti. Ajo tha se rezultatet e mjekimit sipas DOTS strategjisë (dhënia e barit për pacientin nën përkujdesjen e punëtorit mjekësor) po jep rezultate të mira, ndërsa imperativ mbetet të punohet edhe më tej sidomos në preventivë që TBC të eliminohet.

Dr. Xhevat Kurhasani nga OJQ “KeA”, ka folur për rastet rezistente në TBC, që sipas tij në Kosovë janë pesë të tilla, ndërkohë që ka theksuar nevojën që të gjithë akterët të shprehen me vullnet të plotë në përkrahjen e luftës kundër TBC-së.

Shënimi i Ditës Botërore kundër TBC-së, po mbahet me moton : “Bashkohu me ekipin tonë , ta mundim tuberkulozin”,” si organizim i përbashkët i Ministrisë së Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe akterët e tjerë të kyçur në luftën kundër kësaj sëmundje.