Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Bie vdekshmërie e nënave në Kosovë

Ky fakt theksohet edhe nga Drejtori i Klinikës së Gjinekologjise dhe Obstetrikës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), dr. Shefqet Lulaj.

Vdekshmëria maternale në Kosovë, krahasuar me vitet paraprake, ka shënuar rënie, ka thënë Lulaj. “Kjo ka ardhur si pasojë e reformave rrënjësore që Qeveria ka kryer në sektorin shëndetësor, duke e vënë pacientin në qendër të vëmendjes dhe do të vazhdohet të punohet në këtë drejtim, që të ulet edhe më tej vdekshmëria e nënave”, ka theksuar ai. Sipas drejtorit të Klinikës Gjinekologjike -Obstetrike, prej vitit 2000 deri në vitin 2008 në 100 mijë gra ka pasur çdo herë mbi 10 raste të vdekjeve, ndërsa kjo vdekshmëri në vitin 2008 ka qenë në 8 raste.

Dr. Lulaj ka thënë se po bëhen hapa të rëndësishëm në ngritjen e kujdesit për shtatzënat, po respektohen udhërrëfyesit klinik, po bëhet menaxhimi i drejtë i shtatzanisë, duke bërë një përcjellje bashkëkohore të saj dhe duke respektuar kriteret bashkëkohore të trajtimit, ndërkohë që kujdes i veçantë po i jepet edhe informimit të shtatzënave mbi rëndësinë e kontrollimeve të rregullta mjekësore, me qëllim të sjelljes në jetë të fëmijëve të shëndoshë dhe mbrojtjen e shëndetit të nënave.