Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

CARE FOR KOSOVO KIDS i prezanton Ministrit Rrahmani librin ‘Kemo-Krenari’ për fëmijët me sëmundje malinje që trajtohen në QKUK

Prishtinë, 24 tetor 2016

Gjatë një takimi të mbajtur sot në Ministrinë e Shëndetësisë, përfaqësuesit e organizatës holandeze “Care for Kosovo Kids”, përmes koordinatores Dr. Sevim Cinci dhe një pacienti fëmijë që po shërohet nga një sëmundje malinje në QKUK, i prezantuan Ministrit Imet Rrahmani  librin ‘Kemo-Krenari”, që ua lehtëson fëmijëve qasjen në terapi dhe kujdes shëndetësor gjatë trajtimit të tyre mjekësor.

“VOKK”, një organizatë holandeze që publikoi origjinalin e këtij libri me titull ‘Chemo Kasper’, i ofroi “Care for Kosovo Kids” mundësinë për të botuar këtë libër edhe në Kosovë.

“Care for Kosovo Kids”, është aktive në Kosovë që nga viti 2013 dhe ajo ka siguruar me sukses medikamente për fëmijët që trajtohen nga sëmundjet malinje në Pediatri-QKUK.

Ministri Rrahmani falënderoi organizatën “Care for Kosovo Kids” për kontributin e tyre për trajtimin e fëmijëve me sëmundje malinje në Kosovë dhe vlerësoi bashkëpunimin e mirë me këtë organizatë.

Kurse, dr. Sevim Cinci tha se “sot, ne po bëjmë prezantimin e këtij libri të veçantë të cilin do ta shpërndajmë për fëmijët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”.  Libri i quajtur ‘Kemo-Krenari’, theksoi ajo,  “shpjegon çfarë është kemoterapia, në një mënyrë më të lehtë dhe më të relaksuar”.

Ky libër është botuar për të njëjtin qëllim edhe në Holandë. Projekt doli të jetë shumë i suksesshëm, prandaj “Care for Kosovo Kids” vendosi të bëjë të njëjtën gjë për fëmijët e Kosovës.

Vërejtje: Fëmija është fotografuar me leje të prindërve të tij, në prani të tyre, dhe në shenjë falënderimi nga ana e tyre për “Care for Kosovo Kids”, e cila ka ndihmuar mjekimin e tij.