Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Donatorët zotohen për përkrahje të Ministrisë së Shëndetësisë

Në këtë takim, Ministri i Shëndetësisë Prof. Dr. Ferid Agani, pasi ka falënderuar donatorët për kontributin e tyre dhënë shëndetësisë kosovare ka vlerësuar se në përgjithësi është një atmosferë më pozitive dhe projekti i mbështetjes së donatorëve për shëndetësinë kosovare, është i bazuar në dokumentet strategjike të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qeverisë së Kosovës.

Ministri Agani i njoftoi përfaqësuesit  e donatorëve me procesin e reformave në shëndetësi, proces ky që është i bazuar në specifikat kosovare dhe për të cilin është punuar aktivisht në pesëmbëdhjetë muajtë e fundit.

“I jemi afruar realizimit të kësaj reforme, që nis me Ligjin e ri të Shëndetësisë dhe Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore, dy projektligje këto të dakorduar me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat do të na mundësojnë zhvillimin e reformës në dy shtylla: së pari reformën në sistemin shëndetësor që do të bëhet përmes Ligjit të Shëndetësisë dhe reformës së financimit të sistemit shëndetësor që do të bëhet përmes Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore”, tha Ministri Agani, duke bërë të ditur se Ligji për Shëndetësi do të shkojë gjatë javës në Qeveri, ndërsa Ligji për Sigurime Shëndetësore, do ta pasojë ligjin e parë dhe do të mundësojë që reforma financiare të nis që në pranverën e vitit që vjen.

Krahas Ligjit të Shëndetësisë, Ministri bëri të ditur se do të dërgohen për miratim edhe ligjet e tjera në procedurë si Ligji për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, Ligji për Duhanin, Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësor, Ligji për Transplantimin e indeve dhe Ligji për Transplantimin e organeve.

“Ne shpresojmë se me punët që po bëhen deri në fund të këtij viti do ta shënojmë fundin e emergjencave që e kanë përcjellë sistemin dhe do t’i kemi edhe rezultatet konkrete të cilat do t’i prekin edhe qytetarët që lidhen me shërbimet shëndetësore.

Ministri ka falënderuar secilin prej donatorëve dhe po ashtu edhe Ministrinë e Integrimeve për përkrahjen në raport me komunitetin e donatorëve.

“Mbështetje e donatorëve është esenciale, duke i ditur restriksionet në buxhetin e shëndetësisë”, tha Ministri Agani.

Z. Pierre Weber nga Qeveria e Luksemburgut duke folur në emrin e koordinatorit ndërkombëtar të komunitetit të donatorëve në shëndetësi e ka theksuar nevojën e koordinimit në këtë fushë dhe ka premtuar mbështetjen për sektorin e shëndetësisë.

Ai tha se situate në shëndetësi ka impakt edhe në ekonominë e vendit , prandaj theksoi se është shumë me rëndësi që komuniteti ndërkombëtar të informohet për mundësitë dhe në mënyrë të koordinuar shëndetësia të jetë si pikë atraktive për investime.

Në këtë takim me komunitetin e donatorëve zyrtarë të MSh-së kanë prezantuar strukturën e re dhe aktivitetet për revidimin e Planit të Veprimit 2012-2014 të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore prioritetet në këtë sektor, derisa zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve kanë prezantuar Platformën e Menaxhimit të Ndihmës si mjet për donatorët  për të  ndihmuar aktivitetet e financuara nga ta.

Takimet e MSh-së me donatorët janë takime të rregullta që kanë për qëllim sigurimin e përkrahjes së tyre për financimin e shëndetësisë.  

Aktualisht, në shëndetësinë kosovare me projektet e tyre janë të angazhuar Qeveria e Luksemburgut, e Italisë, SHBA-ve, Japonisë, Komisioni Evropian, Qeveria e Zvicrës, Izraeli, Fondi Global, Agjensionet e Kombeve të Bashkuara (UNICEF, OBSH, UNFPA) dhe donatorë të tjerë.