Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Ekspozitë kundër duhan-pirjes: “Duhani Vret – Mos e nis”!

Qëllimi i kësaj ekspozite, në të cilën mori pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë, prof. dr. Ferid Agani, shefi i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, dr. Skënder Syla, drejtues të KADC-së, përfaqësues nga Inspektorati Sanitar dhe të organizatave të tjera ishte  ngritja e vetëdijes dhe nxitja e fëmijëve dhe të rinjve që përmes artit figurativ të përshkruajnë rreziqet që shkakton pirja dhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit.

Duke përgëzuar organizatorët e kësaj ekspozite (KADC) dhe fëmijët për punimet e tyre të shkëlqyera, Ministri Ferid Agani tha se organizimi është një shprehje e bashkëpunimit të mirë të institucioneve me shoqërinë civile dhe kjo reflekton përkushtimin e MSh-së për të mbrojtur shëndetin publik me theks të veçantë gjeneratat e reja.

“Duhani është traditë e keqe e shoqërisë sonë, traditë me të cilën nuk mund të krenohemi, prandaj ne e kemi për detyrë që t’u ndihmojmë njerëzve të cilët e puinë duhanin e që e dinë se u bën keq, që të heqin dorë nga kjo shprehi dhe të reduktohen pasojat negative të duhan-pirjes”, tha Ministri Agani.

Ai theksoi se Projektligji për Kontrollin e Duhanit, i cili do të dal shpejt në Kuvendin e Kosovës për miratim, do të plotësojë ato zbrazëtira që I ka ligji aktual dhe do të mundësojë që shoqëria jonë të mbrohet në mënyrë më efektive nga duhan-pirja.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, tha se përpjekjet e shoqërisë duhet të jenë të asaj natyre që të mbrohen gjeneratat e reja nga efektet e rënda të duhan-pirjes, ndërsa theksoi se projektligji i ri për Kontrollin e Duhanit, ka marrë komente pozitive nga ekspertët e OBSh-së dhe se ai është në linjë me Konventën Kornizë të OBSH-së për kontrollin e duhanit dhe në linjë me ligjet e shteteve të BE-së sa i përket duhanit.

Znj. Ilirjana Zymberaj, kryeinspektore sanitare nga Agjensioni i Ushqimit dhe i Veterinës të Kosovës, tha se duke parë atë që kanë shprehur fëmijët shkollarë përmes punës së tyre, inspektorati po ndihet i përkrahur dhe më i fuqishëm në përpjekjet e tij për zbatimin e Ligjit për Duhanin.

Kurse, z. Shkumbin Spahija, drejtor ekzekutiv i KADC-së, ka thënë se kjo qendër po punon në mbështetje të nismave dhe ligjit të ri për kontrollin e duhanit, duke punuar në ndërgjegjësimin e kategorive të ndryshme të shoqërisë për ambiente pune dhe vende publike të liruara 100 për qind nga duhan-pirja si masë për uljen e pasojave që shkakton duhan-pirja.

Në këtë ekspozitë, shkollat dhe nxënësit që kanë kontribuar me punimet e tyre figurative për ndërgjegjësim kundër duhan-pirjes janë shpërblyer me mirënjohje, të cilat i kanë përgatitur drejtuesit e KADC-së dhe i ka ndarë Ministri Agani.