Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Emiratet e Bashkuara Arabe shprehin gatishmëri për të ndihmuar shëndetësinë kosovare

Ministri i Shëndetësisë  i Republikës së Kosovës, prof. Dr. Ferid Agani priti sot në takim prof. dr. Mazen Al Hajri , ekspert botëror i sëmundjeve të veshit dhe autoritet publik në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjatë bisedës në këtë takim, dr. Mazen ka shprehur gatishmërinë e tij për të ndihmuar shëndetësinë kosovare nëpërmjet sigurimit të implanteve kohleare të domosdoshme për trajtimin e shurdhimit tek fëmijët deri në moshën pesë vjeçare si dhe tek të rriturit, pajisje këto shumë të shtrenjta të cilat Ministria e Shëndetësisë nuk është në gjendje t’i sigurojë nga buxheti i saj.
Dr. Mazen, po ashtu, u zotua për themelimin e Qendrës së specializuar për trajtimin e problemeve të dëgjimit  në Klinikën e ORL-së të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës si dhe për sigurimin e donacioneve për ndërtimin e disa institucioneve të kujdesit terciar në QKUK.
Ministri Agani falënderoi dr. Mazen për angazhimet e tija për të ndihmuar shëndetësinë kosovare dhe përmes tij i bëri ftesë homologut të tij, Ministrit të Shëndetësisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, që ta vizitojë Kosovën.