Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Filloi bartja e kompetencave nga Ministria e Shëndetësisë tek Odat e profesionistëve

Prishtinë, 30 qershor 2016

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani u ka dorëzuar sot kryetarëve të katër Odave të profesionistëve shëndetësor: Odës së Stomatologëve; Odës së Farmacistëve, Odës së Infermierëve dhe Odës së Fizioterapeutëve vendimin për bartjen e kompetencave për çështjet etike dhe Edukimin e Vazhduar Profesional.

Oda e Mjekëve ndërkaq, do ta mbajë nesër Kuvendin e saj dhe nëse arrin të miratojë disa prej dokumenteve dhe rregulloreve të saj, këto kompetenca kësaj ode do t’i barten javën tjetër.
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se kjo ditë është e rëndësisë së jashtëzakonshme për sistemin shëndetësor të Kosovës, sepse po fillon një etapë e re me bartjen e kompetencave për çështjet etike dhe edukimin e vazhduar profesional tek odat profesionale.

“Këto kompetenca që po ua bartim sot, Odat do të vazhdojnë t’i ushtrojnë prej një korrikut, ndërkohë që deri në fund të dhjetorit, procesi i licencimit dhe ri-licencimit do të bëhet së bashku nga Ministria dhe Odat dhe çdo licencë e re që do të lëshohet do ta ketë nënshkrimin e Ministrit , por edhe të kryetarit të Odës deri në fund të dhjetorit”, tha Ministri Rrahmani.
Ai theksoi se bazuar në kompetencat ligjore, Ministria do ta mbikëqyrë punën e odave në periudhën e ardhshme tre vjeçare, ndërsa Ministria do të punojë ngusht me odat që gradualisht atyre t’ua bart edhe përgjegjësitë e tjera.

Në emër të kryetarëve të Odave, kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Kujtim Shala, tha se procesi i themelimit të odave dhe bartjes së kompetencave është mjaft kompleks dhe sfidues, shoqërohet edhe me fërkime objektive të pritshme, porse arritja në këtë fazë është një sukses i përbashkët që duhet të vazhdohet me angazhime të gjithëve. “ Kemi pasur mjaft sfida edhe ne si Oda edhe Ministria, por besojmë se jemi duke shkuar në rrugën e duhur”, tha profesor Shala.

Më skeptike ndërkaq, ka qenë kryetarja e Odës së Mjekëve Zylfije Hundozi e cila tha se mos miratimi i disa akteve nga ana e kësaj Ode ka ndodhur më shumë për shkaqe teknike dhe se Kuvendi i OM do të vendos për to.