Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Filloi Kongresi Ndërkombëtar për Telemjekësi dhe Shëndetësi Elektronike

Pjesëmarrësve të shumtë të këtij Kongresi nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, SHBA-të, India, Panama, Britania e Madhe, Austria, Hong-Kongu, Rumania, Rusia dhe shtete të tjera përmes një tele-prezantimi u është drejtuar  Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha.
“Telemjekësia  solli në qendrat tona një bibliotekë virtuale që de fakto ju bën të mundur mjekëve, profesorëve, studentëve, praktikantëve dhe studiuesve të tjerë  të  njihen on-line me çdo studim, çdo botim, kërkim shkencor në të gjitha fushat e mjekësisë…”, tha Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar projektin e Telemjekësisë në Kosovë dhe në Shqipëri si një avantazh të jashtëzakonshme në komunikimet e reja në fushën e mjekësisë dhe në tërësi në shkencat biologjike.
Duke uruar Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës për 10 vjetorin e themelimit dhe atë të Shqipërisë për 5 vjetorin e saj, Kryeministri shqiptar tha se telemjekësia është një instrument magjik në duart e mjekut si në Shkodër, ashtu edhe në Pejë dhe në çdo qendër tjetër që t’i avancojnë njohuritë, t’i diskutojnë diagnozat konkrete dhe me ekspertizën më të avancuar të gjejnë edhe rrugët më efikase për trajtimin e saj.
Prof. dr. Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, tha se Projekti i Telemjekësisë tregon se si duhet punuar në shtetin e ri të Kosovës  dhe paraqet vizionin që qëndron në themel të reformës së sistemit shëndetësor.
“Ky projekt e ke vlerën e vet të lartë jo vetëm për shtetin tonë, por edhe për shtetet e tjera dhe tregon se vënia e teknologjisë në funksion të ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimit të qasjes, si dhe integrimi  i dijes, paraqet një imperativ të kohës”, tha Ministri Agani.
Ai theksoi se koncepti i shëndetit global është ai që e ka udhëhequr atë në funksion të dizajnimit të reformës shëndetësore në Kosovë, e cila do të mundësojë themelimin e një sistemi shëndetësor mbi themelet e një sistemi që deri tash ka prodhuar shumë probleme.
Prof. dr. Vangjel Tavo, Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Shqipërisë, tha se telemjekësia dhe shëndetësia elektronike janë zgjidhja më e mirë për t’u përballur me zhvillimet modern.
Projekti i telemjekësisë i Kosovës dhe i Shqipërisë, theksoi Ministri Tavo, do të kontribuojë edhe në bashkimin e shëndetësisë të dy vendeve.
Dr. Rifat Latifi, themelues i Projektit të Telemjekësisë në Kosovë dhe në Shqipëri u shpreh i lumtur për arritjet që janë shënuar për një periudhë dhjetë vjeçare në Kosovë dhe pesë vjeçare në Shqipëri.
Ai tha se ky projekt i ka lidhur 16 spitale në Kosovë dhe në Shqipëri, ndërsa vitin tjetër 7 spitale të tjera do të lidhen në Maqedoni me projektin e Telemjekësisë.
“Më nuk jemi vetëm importues të dijes, por edhe eksportues të saj”, tha dr. Latifi, duke u bërë thirrje profesionistëve mjekësor që të bëhen pjesë e këtij programi, t’u kthehen sa më shumë shkencës e hulumtimeve , duke u bërë kështu pjesë integrale e zhvillimeve të reja në shkencën e mjekësisë në botë.
Punimet e Kongresit i ka përshëndetur edhe Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Memli Krasniqi, Rektori i UP-së Ibrahim Gashi, akademiku Pajazit Nushi, përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse, etj.

Një falënderim i veçantë u është shprehur donatorëve që kanë ndihmuar krijimin e projektit si SHBA-ve, Agjencionit Evropian për Rindërtim e Zhvillim, etj.
Ky kongres që i vazhdon punimet edhe të hënën dhe të martën mbahet në vitin kur po festohet 100 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, dhe kur Programi i Telemjekësisë në Ballkan implementuar nga International Virtual e-Hospital (IVEH) dhe Programi i Telemjekësisë i Kosovës po shënojën 10 vjetorin, ndërsa Programi i Telemjekësisë së Shqipërisë 5 vjetorin e themelimit.