Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Filloi punën Këshilli Nacional për Sistemin e Informimit Shëndetësor të Kosovës

Prishtinë,  03. 03. 2015

Nën kryesimin e  Ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, Dr. Imet Rrahmani, sot në Ministrinë e Shëndetësisë filloi punën Këshilli Nacional për Sistemin e Informimit Shëndetësor si trup ndërinstitucional, me qëllim të implementimit të Strategjisë së Informimit Shëndetësor dhe funksionalizimit të këtij sistemi.

Në cilësinë e Kryesuesit të këtij Këshilli, Ministri Rrahmani tha se implementimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor është një nga objektivat kryesore të Ministrisë, në këtë fazë të reformës shëndetësore, në të cilën të dhënat e bazuara në evidencë dhe të integruara janë më se të nevojshme dhe kusht për zhvillimin e politikave të drejta në sektorin shëndetësor.

Sekretari i Përgjithshëm i MSh-së, Dr. Gani Shabani, zëvendës-kryesues i Këshillit, theksoi rëndësinë e ecjes sa më të shpejtë me zbatimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor, me që, theksoi ai, kërkohet një dinamikë shumë më e madhe.

Anëtarët e këtij Këshilli ndërinstitucional që vijnë nga institucione të ndryshme, në këtë takim u njohën nga Drejtori i Departamentit të Sistemit të Informimit Shëndetësor në MSh, dr. Xhevat Ukaj me aspektet e zhvilluara deri më tani të këtij sistemi dhe me fazat në zhvillim të këtij sistemi, sikurse edhe me pilot projektet që do të fillojnë së zbatuari në Prishtinë (QKMF), Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në Rajonin e Prizrenit (Prizren, Suharekë, Dragash, Malishevë, Mamushë, Rahovec).

Në këtë takim u bë e ditur se deri tash janë zhvilluar moduli i menaxhimit të stokut farmaceutik përmes SISH-it, sistemi për menaxhimin e resurseve humane, sistemi për evidencimin e statistikave shëndetësore, sistemi për Departamentin e Shëndetësisë në burgje, ueb aplikacioni për monitorimin e punëtorëve shëndetësor të institucioneve private shëndetësore dhe aplikacioni në ueb për licencimin e institucioneve private shëndetësore.

Anëtarët e Këshillit kanë pranuar edhe draft -Rregulloren e punës së këtij këshilli, të cilin do ta miratojnë në takimin e radhës, ndërkohë që një nga detyrat e para të Këshillit do të jetë përgatitja e një Plani të ri të Veprimit në Harmoni me Strategjinë e re Sektoriale Shëndetësore dhe dokumentet relevante për sektorin shëndetësor.