Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Filloi seminari për metodologjinë në hulumtimet biomjekësore

 

 

Ambasadori i Republikës së Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou, sfidat në shëndetësi i ka cilësuar si sfida me të cilat duhet ballafaquar gjatë tërë jetës

Prishtinë, 14. 02. 2011

Në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës ka filluar sot punimet seminari katër-ditor për metodologjinë në hulumtimet biomjekësore, i organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në partneritet me Universitetin e Bordeaux të Francës.

Seminari, i përkrahur nga Ambasada Franceze, është pjesë e bashkëpunimit në mes të IKSHP-sw dhe Ambasadës Franceze që nga viti 2009, që përfshinë ndihmën teknike, materiale dhe financiare për realizimin e projekteve të shëndetësisë publike po ashtu edhe kurse të gjuhës frënge për kuadrin.

Në hapje të seminarit ka qenë të pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou, Sekretari i Përgjithshëm në MSH, Ilir Tolaj, drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, dekani i Fakultetit të Mjekësisë Gani Bajraktari si dhe drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Epidemiologjisë dhe  Zhvillimit të Universitetit të Bordeaux, Rachid Salmi.

Ambasadori Fitou tha se nevojat në shëndetësi janë në fakt nevojat më të mëdha, ndërsa sfidat në shëndetësi i ka cilësuar si sfida me të cilat duhet ballafaquar gjatë tërë jetës. Duke e vlerësuar si hap të mirë të fillimit të një bashkëpunimi midis IKSHP-së dhe Universitetit të Bordosë, Ambasadori Fitou tha se vet jetë është një dyluftim, prandaj në këtë kuptim, ai ka theksuar se duhet angazhim i madh dhe bashkëpunim që të arrihen suksese në shëndetësi.

Dr. Ilir Tolaj, tha se shëndetësisë kosovare i mungojnë më së shumti dy gjëra: mbështetja e një financimi të qëndrueshëm dhe mungesa e njerëzve jo si numra, por si kuadro profesionale, të cilat do të ishin në gjendje që të shtyjnë para reformat e nevojshme në shëndetësi. Seminari dhe bashkëpunimi si ky, ka theksuar Tolaj, ndihmon që “njerëzit tanë të marrin ekspertizën adekuate në fushat e rëndësishme si hulumtimet bio-mjekësore”.

Dr. Naser Ramadani, tha se synimi kryesor i këtij bashkëpunimi është zhvillimi i shkathtësive në hulumtimet biomjekësore për 15 doktorë kosovarë, derisa  seminari, shpjegoi ai,  është rezultat i bashkëpunimit në mes të IKSHPK dhe Shkollës së Shëndetit Publik të Bordeaux (ISPED), si një nga ekipet franceze më të mira në fushën e epidemiologjisë dhe shëndetësisë publike, i filluar tre vite më parë, që përfshinë edhe këmbimin institucional, të ekspertëve dhe studentëve.

Dr. Gani Bajraktari tha se tema e seminarit është shumë e qëlluar dhe vjen nga një fushë ku Kosova nuk mund të mburret me ndonjë “letërnjoftim” të mirë dhe seminari do të kontribuojë në ngritjen e aftësive të pjesëmarrësve kosovarë bazuar në ekspertizën e ekspertëve francezë në fushën e hulumtimeve biomjekësore.

Prof. Rachid Salmi, tha se kjo që po nis sot është një platformë e mirë e bashkëpunimit , apo etapa e parë e një pune për zhvillimin e ekspertëve kosovarë në fushën e hulumtimeve biomjekësore.

Gjatë seminarit disa ditorë,  15 doktorantë e mjekë të përfshirë në hulumtime, bazuar në projektet e tyre hulumtuese, janë përzgjedhur nga IKSHPK dhe Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës për pjesëmarrje në këtë seminar.

Pjesa e parë e seminarit, prej 14 deri 17 shkurt 2011, do të realizohet nga ekipi i mësimdhënësve dhe hulumtuesve nga Shkolla e Shëndetit Publik e Bordeaux në partneritet me mësimdhënës nga IKSHPK, kurse pjesa e dytë e seminarit do të mbahet në maj 2011.