Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Filloi shënimi i Javës së të ushqyerit me qumësht gjiri në Kosovë

“Të ushqyerit me qumësht gjiri, është mënyra më e mirë për t’iu ofruar të porsalindurve përbërsit e nevojshëm ushqimor për rritje dhe zhvillim”, tha  Znj. Laila Omar Gad, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. “Të ushqyerit me gji duhet të përkrahet nga familja dhe vlerësohet si dobi, e cila e përkrahë rritjen, zvogëlon rrezikun e sëmundjeve dhe vdekjeve si dhe ndihmon në zhvillimin e lidhjes emocionale ndërmjet nënës dhe foshnjës”, tha Zonja Gad duke shprehur përkushtimin e Zyrës së UNICEF-it për të përkrahur aktivitetet të cilat ndihmojnë fillimin e mbarë të fëmijërisë për të porsalindurit në Kosovë.
Dr. Merita Vuthaj, zyrtare për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në MSh tha se në Kosovë, 21 maternitete janë të çertifikuara nga Ministria e Shëndetësisë si Institucione Mike të Foshnjës, duke mundësuar fillimin e shëndoshë me të ushqyerit me qumësht gjiri dhe duke fuqizuar nënat për të zgjedhur mënyrën më të mirë për të ushqyer fëmijët e tyre.
Z, Fried Didden nga “Kosova Health Fondation”, ka theksuar se një fëmijë që nuk ushqehet më qumësht gjiri, është 14 herë më i rrezikuar që të vdesë në gjashtë muajt e parë të jetës se sa një fëmijë i ushqyer ekskluzivisht me qumësht gjiri. Qumështi i gjirit i plotëson kërkesat e plota ushqyese të fëmijës dhe është një nga vlerat më të mira në mesin e investimeve për mbijetesën e fëmijës.
Ai ka theksuar se kur ka qenë fëmijë, nuk është ushqyer me qumësht gjiri, por ua rekomandon të gjitha nënave të reja që fëmijët e tyre t’i ushqejnë me qumësht gjiri, sepse kjo është mënyra më e mirë dhe më praktike për t’u mundësuar fëmijëve një fillim të mbarë të jetës së tyre.
Zonja Feride Rushiti nga Kryqi i Kuq i Kosovës, duke dhënë shembullin e një nëne që ka rritur fëmijët e saj me qumësht të gjirit, ka theksuar rëndësinë e gji-dhënies dhe ka theksuar se Kryqi i Kuq i Kosovës do të jetë përherë partner në zbatimin e programeve që u ndihmojnë nënave të reja t’i zhvillojnë praktikat për t’i ushqyer fëmijët e tyre me qumësht të gjirit.
Java e të ushqyerit me qumësht të gjirit sivjet në Kosovë po shënohet me moton” Qumështi i gjirit-i shëndetshëm, i gatshëm dhe falas” dhe do të përcillet edhe me aktivitete të tjera që do të mbahen si në Gjilan më 4 tetor, ndërsa në përvjetorin e 20-të të Javës për të ushqyerit me qumësht gjiri, UNICEF-i thekson se politikat kombëtare që përkrahin të ushqyerit me gji, mund të parandalojnë vdekjen e rreth 1 milion fëmijëve nën moshën pesë vjeçare çdo vit, në vendet në zhvillim.