Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Fillon Konferenca e 6-të Ndërkombëtare e Mjekësisë Emergjente

Prishtinë, 22 maj 2015

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani mori pjesë në hapjen e Konferencës së 6-të Ndërkombëtare të Mjekësisë Emergjente, e organizuar nga Shoqata për Mjekësi Emergjente e Kosovës, (ShMEK), Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) dhe Klinikës Emergjente nën patronatin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila konferencë po zhvillon punimet në “Hotel Grand”, Prishtinë.

Ministri Imet Rrahmani tha se ministria të cilën ai e drejton është e përkushtuar që të punojë në drejtimin e ngritjes së kapaciteteve profesionale por edhe infrastrukturore për Klinikën e Emergjencës.

“Konsiderojmë që sot jemi në fazën kur Klinika Emergjente duhet përkrahur në vazhdimësi dhe të shtojmë qendra emergjente në tërë Kosovën, në mënyrë që të bëjmë atë që e garanton ligji”, tha ministri Rrahmani, duke shtuar se “Ligji i Emergjencës që së shpejti do të hyjë në fuqi, ndërtimi i Klinikës së Emergjencës dhe futja e stafit të emergjencës në grupin e rrezikshmërisë janë hapa që tregojnë qartazi se ky shërbim, po fuqizohet”.

“Konferenca të tilla kontribuojnë në ngritjen e njohurive dhe zhvillon profesionalisht mjekët, dhe natyrisht se janë të mirëseardhura dhe do të kenë mbështetjen e MSh-së edhe në të ardhmen” përfundoi Ministri Rrahmani.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Dr. Bastri Lenjani ka thënë se për momentin klinika ka një hapësirë të pa mjaftueshme me rreth 507 metra katrorë, 96 mjekë dhe infermierë, si dhe 13 punëtorë administrativë, ndonëse gjatë muajve të ardhshëm pritet ndërtimi i objektit të ri për këtë klinikë.

Drejtori Lenjani ka shtuar se shërbimi emergjent ka një staf të mrekullueshëm, por i cili kërkon kushte më të disponueshme për trajtimin e rasteve urgjente, dhe ka kërkuar përkrahje për zgjerimin e kapaciteteve, fuqizimin e stafit, posedimin e materialeve, pajisjeve si dhe për një buxhet më efikas.

Ndryshe, Konferenca është dyditore dhe po marrin pjesë mjekë, infermierë dhe përfaqësues të ndryshëm të shërbimeve emergjente nga vendi dhe rajoni.