Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Fillon nesër Konferenca Turko-Kosovare për Shëndetin riprodhues

Kjo konferencë organizohet në kuadër të aktiviteteve që YISAV organzon në shumë vende të Evropës Juglindore dhe Azisë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë avansimit të shëndetit riprodhues.

Konferenca e nesërme, do të hapet nga Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, Ambasadori i Turqisë në Republikën e Kosovës, Metin Husrev Unler dhe Ferit Saraçoglu, president i YISAV.

Në kuadër të kësaj konference profesionale, do të trajtohen tema të rëndësishme si: shëndeti riprodhues në Turqi e Kosovë, shëndeti riprodhues dhe diagnostika moderne e trajtimit të kancerit të ovariumit, përdorimi i ultratingullit në diagnostikimin e kancerit të ovariumit, të rejat nga kirurgjia endoskopike në Gjinekologji, si dhe shumë tema të tjera me interss nga fusha e shëndetit riprodhues.

Në këtë konferencë, përveç ekspertëve kosovarë të fushës së Obstetrikës e Gjinekologjisë, do të marrin pjesë rreth 50 obstetër dhe gjinekologë nga Turqia, të cilët në Kosovë vijnë të mbështeter nga YISAV dhe gjatë qëndrimit këtu, ata do të sjellin dhe këmbejnë përvojat e tyre konkrete me kolegët kosovarë, lidhur me çështjet e shëndetit riprodhues.

Konferenca të ngjashme, YISAV ka organizuar dhe organizon në vazhdimësi si në Maqedoni, Kirgistan, Uzbekistan, Azarbajxhan, Kazakistani, Turkmenistan, etj.

YİSAV është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1995 dhe aktualisht ka rreth 400 anëtarë,  të cilët janë akademikë të kalibrit të lartë, burokratë dhe biznesmenë. Fondacioni financohet plotësisht nga anëtarët e vet, derisa organizata është e specializuar në çështjet e shëndetit riprodhues dhe seksual në Turqi qe një kohë të gjatë.

Republika e Turqisë mbetet në mesin e shteteve më të përkushtuara që ta ndihmojnë shtetin dhe shëndetësinë e Kosovës, dhe në këtë aspekt organizata qeveritare TIKA, kohë më parë kë njoftuar se do ta bëjë rinovimin komplet të Klinikës Gjinekologjike dhe Obstetrike në QKUK, duke mbajtur kështu zotimin e bërë në Konferencën e donatorëve dhe duke ndihmuar kështu shëndetin riprodhues në Kosovë.

Konferenca është një ditore, i fillon punimet në orën 8 e 30 minuta dhe mbahet në hotelin “Victory” në Prishtinë.