Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Fillon punën Këshilli profesional për funksionalizimin e Kardiokirurgjisë

Prishtinë, 29 prill 2015

Në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt sot takimi i parë i Këshillit profesional për funksionalizimin e shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në këtë takim, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i njoftoi anëtarët e Këshillit me pritjet e Ministrisë nga ky Këshill  i themeluar ditë më parë sa i përket shërbimit të Kardiokirurgjisë, për të cilin tha se, me përkrahjen edhe të Qeverisë, do të punojë për funksionalizimin e tij, përkatësisht për sigurimin e shërbimeve njëzet e katër orësh nga kardiokirurgjia për qytetarët e vendit.

Pasi ka theksuar se Ministria ka formuar këtë këshill me kërkesë të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Ministri Rrahmani ka kërkuar nga anëtarët e këshillit, që në pajtim me detyrat dhe obligimet  e tyre, të ndërmarrin veprimet e nevojshme duke përfshirë analizën e situatës aktuale, hartimin e Planit të punës dhe Planit të Veprimit, koordinimin e projekteve për Kardiokirurgji, sigurimin dhe organizimin e aktiviteteve dhe programeve për ngritjen e kapaciteteve profesionale të profesionistëve të kardiokirurgjisë dhe funksionalizimin e strukturës menaxhuese, me qëllim që në një afat sa më optimal që është e mundur, Kardiokirurgjia të jetë funksionale dhe në shërbim të qytetarëve.

Ai tha se projekti është mjaft sfidues, por duhet çuar para me punë serioze dhe pa improvizime.

Drejtues të SHSKUK-së dhe anëtarët e Këshillit e kanë mirëpritur themelimin e këtij Këshilli dhe kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar, me qëllim që shërbimi i Kardiokirurgjisë të funksionalizohet.

Këshilli profesional për funksionalizimin e shërbimit të Kardiokirurgjisë është themeluar me 22 prill 2015, ndërsa përbëhet nga dr. Avdyl Krasniqi, kryetar dhe anëtarët: dr. Izet Sadiku, dr. Raif Çavolli, dr. Adem Grbolari dhe dr. Rexhep Gjyliqi.