Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Fjalimi i Ministrit Zemaj në ceremoninë solemne të promovimit të 1500 specializantëve të rinj të Republikës së Kosovës

Faleminderit që sot jeni me ne në këtë ditë të rëndësishme për 1500 specialistë të ardhshëm të shëndetësisë, akademik të ardhshëm, për 1500 familjet, shëndetësinë dhe vendin tonë. Nga sot, sistemit shëndetësor i shtohen 1500 specializantë.

Nga dita e parë si ministër e kam pasur prioritet që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë problemi i specializantëve, që për vite të tëra nuk janë angazhuar në profesionin e tyre për të cilin i kanë përfunduar studimet universitare.

Tash, ata, do t’i ndjekin specializimet në fushat e preferuara të tyre.

Falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe kryeministrin Avdullah Hoti për përkrahjen dhe mirëkuptimin që ka pasur për mjekët e rinj, duke vendosur që së fundi edhe 400 mjek të tjerë, t’i shtohen procesit të specializimit, me çka është rrumbullakuar numri për 1500 specializime.

Në kategorinë e parë janë përfshirë profilet specialistike me prioritet nacional, specializimet e nevojshme në luftën kundër Covid-19.

Specializantët e ardhshëm, menjëherë do të kyçen në parandalimin dhe luftimin e virusit.

Qindra mjekë të diplomuar prej vitesh e kanë pritur këtë vendim që t’u mundësohet të ndjekin shkollimin specialistik.

Andaj, sot, të nderuara zonja dhe zotërinj, të nderuar profesionist shëndetësorë

Jam i lumtur për Juve që do t’i shtoheni kuadrit më të shkolluar në Republikën e Kosovës, i shtoheni armatës së mjekëve shembullor që u dëshmuan në çdo kohë në shërbim të shëndetit të qytetarëve.

Jam i lumtur, po ashtu, sepse e kemi thyer bllokadën e pakuptueshme dhe u kemi dhënë mundësinë rreth 1500 mjekëve të përgjithshëm, të gjitha profileve, që të bëhen pjesë e konkurrencës për të filluar specializimin.

Lajm tjetër i mirë është se Ministria e Shëndetësisë, nga sivjet, do të hap konkurs për specializantë çdo vit, për të mos shkaktuar ngecje në sistem.

Jemi të inkurajuar nga interesimi i madh i mjekëve për t’u bërë pjesë e këtij konkursi, por jo të befasuar, duke marrë parasysh faktin se prej 4-5 vjetësh, Ministria e Shëndetësisë nuk kishte shpallur konkurs për specializime, duke ua pamundësuar mjekëve një të drejtë të tyre-shkollimin specialistik dhe avancimin profesional.

Sot, jemi në pandemi dhe shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje qytetarëve për zbatim pa rezervë të masave kundër Covid-19: të bartin maskën, të ruajnë distancën dhe të mbajnë higjienën.

Specialistë të ardhshëm, akademikë, urime specializimi!

Kosova ju do, shëndetësia ju pret!

Pas studimeve të përkushtuara, ju presin pacientët, familjet dhe institucionet që do të krenohen me Juve.

Urime, paçi suksese në specializim!

Faleminderit!