Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Gjermania ndihmon Kosovën me 15 respiratorë në luftën kundër COVID-19

Shteti gjerman, përmes Ambasadës së saj në Prishtinë, i dorëzoi Qendrës Klinike Universitare 15 respiratorë në vlerë prej 437 mijë eurosh, të cilët janë financuar nga Ministria e Jashtme Federale, si ndihmë shtesë në kuadër të mbështetjes për Kosovën në luftën me pandeminë COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, vlerësoi lart kontributin e shtetin gjerman gjatë kohës së pandemisë, ndërsa theksoi se aparatura e re do t’i ndihmojë profesionistët shëndetësorë që të shpëtojnë jetën e atyre , të cilët mund të përballen me COVID-19.

Zemaj, po ashtu, bëri të ditur se nga sot do të trefishohet numri i testimeve për COVID-19.

“Sapo erdha nga IKSHP. Nga sot do të trefishohen kapacitetet testuese falë ndihmës së donatorëve. Ky front i përbashkët i krijuar me popullin e civilizuar evropian, na e shton përgjegjësinë për angazhim shtesë”, deklaroi Zemaj.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jörn Rohde, me këtë rast theksoi se shpreson që pajisjet e reja të përdorën sa më pak, pasi që do të ishte një tregues i mirë  në rrugën për ta fituar luftën me pandeminë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, falënderoi shtetin e Gjermanisë për përkrahjen e vazhdueshme. “Ne e sigurojmë Ambasadën e Gjermanisë dhe taksapaguesit gjermanë se pajisjet do të përdoret sipas nevojës, me shumë kujdes. Që të mos kemi nevojë për aparatura të reja, ne, si qytetarë, duhet ta kryejmë punën tonë, duke zbatuar masat për parandalimin e pandemisë COVID-19”, tha Krasniqi.