Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Grupi punues për A H1N1 inkurajon marrjen e vaksinës

Ministria inkurajon edhe kategoritë e tjera, sipas indikacioneve dhe sipas konsultimeve me mjekët , që të paraqiten në Qendrat e Mjekësisë Familjare, me qëllim të vaksinimit.

Në këtë takim është biseduar për ngritjen e nivelit të kapaciteteve fizike dhe profesionale për menaxhimin sa më të mirë të situatës, furnizimin e rregullt me barna dhe materialet e nevojshme për trajtimin e rasteve.

Grupi ka rekomanduar që nga Qeveria e Kosovës të kërkohet lejimi i shfrytëzimit të mjeteve financiare nga Fondi Emergjent për sigurimin e një furnizimi sa më të qëndrueshëm, blerjen e aparaturës si respiratorë, etj.

Në takim është kërkuar nga menaxherët e spitaleve rajonale që të kërkojnë nga personeli i tyre që në Prishtinës të mos dërgohen rastet të cilat mund të trajtohen në spitalet e tyre dhe të zbatohet trajtimi korrekt i të prekurve nga Gripi sipas protokolleve dhe udhëzuesve të shpërndarë.

Nga krerët e IKSHP-së u bë e ditur se që nga 15 korriku e deri tani, në Kosovë janë konfirmuar 235 raste pozitive në A H1N1, derisa në Klinikën Infektive janë të shtrirë 35 pacientë nën observim klinik dhe 4 të tjerë në mjekimin intensiv.

Nga OBSH u bë e ditur se të hënën, 95 mostra të konfirmuara si pozitive në Kosovë, do të dërgohen në Londër, me qëllim që të bëhet një evaluim i punës së Qendrës Kombëtare të Kosovës për Grip dhe të shihet nëse eventualisht në ndonjë nga rastet e konfirmuara si pozitive virusi ka pësuar mutacion.

Grupi u bën thirrje sërish qytetarëve që të zbatojnë masat preventive kundër Gripit dhe të paraqiten me kohë te mjeku kur kanë shenja të dyshimta gripi, derisa në Qendrën Kombëtare të Gripit do të analizohen vetëm mostrat e të sëmurëve me pasqyrë të rëndë klinike dhe mostrat e të vdekurve.

Të hënën ndërkaq, ekspertët e OBSH-së nisin në Kosovë një mision për të inspektuar menaxhimin klinik të rasteve të pandemisë së Gripit A H1N1.