Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Grupi punues për A H1N1 shqyrtoi situatën rreth Gripit

Grupi punues për menaxhimin e pandemisë së Gripit A H1N1 për Kosovë, nën kryesimin e zëvendësministres së Shëndetësisë Mybera Mustafa mbajti sot takimin e radhës në të cilin u analizua situata epidemiologjike në vend dhe zbatimi i masave preventive kundër Gripit A H1N1.

Në këtë takim u konstatua se situata është nën kontroll, por ende mbetet shumë serioze për shkak të pranisë së virusit A H1N1 dhe virusit të Gripit sezonal.

Shefi i Zyrës së OBSh-së për Kosovë, Skënder Syla, ka njoftuar se prej 14-17 dhjetor në Kosovë do të vijnë nga Londra një klinicist dhe një bioinxhiner për të vlerësuar gjendjen rreth menaxhimit klinik të  rasteve të A H1N1 në Kosovë dhe për të asistuar me rekomandime për klinicistët kosovarë.

Në bazë të raporteve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), deri sot në Kosovë janë regjistruar 213 raste të konfirmuara në A H1N1  prej 666 rasteve të dyshimta, dhe ka pasur 10 të vdekur.

Grupi ka rekomanduar vazhdimin e implementimit të masave preventive kundër Gripit, lajmërimin me kohë te mjeku më i afërt i të gjithë atyre që kanë shenja të dyshimta për grip, ndërkohë që kategorive, të cilave u janë dedikuar vaksinat e para, u rekomandohet që të vaksinohen.