Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

Grupi punues për menaxhimin e pandemisë së Gripit A H1N1 mbajti takim në QKUK

Nën kryesimin e zëvendësministres së Shëndetësisë Mybera Mustafa , Grupi punues për menaxhimin e pandemisë së Gripit pandemik A H1N1 ka zhvilluar sot një takim pune në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në të cilin është raportuar për situatën epidemiologjike  në vend, masat e ndërmarra dhe hapat që duhet ndërmarrë ditëve në vijim.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe krerët e QKUK-së, të IKSHP-së si dhe drejtuesit e Klinikës Infektive, Qendrës Emergjente dhe Klinikës së  Anesteziologjisë.

Në këtë takim u bë e ditur se në harkun kohor prej dhjetë ditësh në Qendrën Emergjente të QKUK-së janë evidentuar tri raste të vdekjeve të paqarta tek të cilët për shkak të dyshimeve si raste të Gripit të ri pandemik A H1N1 janë marrë mostrat për testim nga Influenza A H1N1.

Këto mostra të përpunuara gjatë ditës së martë (24. 11. 2009) dhe me rezultate të konfirmuar në orët e mbrëmjes të kësaj dite rrisin numrin e viktimave të konfirmuara nga virusi A H1N1 në 6.

Po ashtu, në orët e mëngjesit të ditës së sotme ka  ndërruar jetë edhe një i sëmurë me shenja të dëmtimit të rëndë të mushkërive dhe i dyshuar për infeksion në A H1N1.  Rezultatet për këtë rast janë në pritje.

Sipas drejtuesve të IKSHP-së, numri i përgjithshëm i të konfirmuarve pozitiv në A H1N1 në Kosovë që nga fillimi i pandemisë është 118.

Sikur është bërë e ditur, ditëve që vijnë raportimet rreth situatës epidemiologjike do të bëhen në baza javore, ndërsa IKSHP do të testojë vetëm mostrat për rastet e rënda klinike të dyshuara për Grip A H1N1 dhe rastet e dërguara nga klinicistët.

Grupi punues për menaxhimin e pandemisë u bën thirrje qytetarëve që ta shtojnë kujdesin dhe t’i zbatojnë masat preventive, duke respektuar rekomandimet dhe këshillat e institucioneve, në veçanti lajmërimin me kohë te mjeku, derisa rikujton se Komiteti Nacional i Kosovës për  Sëmundje Ngjitëse ka rekomanduar marrjen e vaksinës kundër Gripit A H1N1, një kontingjent prej 5.000 dozave që gjatë vikendit erdhën në Kosovë si donacion i Republikës së Turqisë.