Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

I mbylli punimet Simpoziumi i III-të satelitor me temën: Imazheria në traumë

Prishtinë, 11 tetor 2016

Me një panel diskutimi lidhur me nevojat e ekzaminimeve me Tomografi të kompjuterizuar tek pacientët me trauma, pas disa prezantimeve e debateve profesionale të zhvilluar dje e sot, sot në Prishtinë i ka mbyllur punimet Seminari i tretë satelitor me temën bazë: Imazheria në traumë.

Ky seminar i organizuar nga Kosova Open Medical Club-KOMC bashkë me Austrian American Foundation, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Fakultetin e Mjekësisë-Universiteti i Prishtinës, Agjensionin Austrian për Zhvillim ADA, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, National Institute of Neurology and Neurosurgery, Mexico City dhe San Rafael Hospital Columbi, Tunja (Meksikë), Ëeill Cornell Medicine Nju-Jork dhe General University Hospital Pragë, ka zgjuar interesimin e madh të profesionistëvë të fushave të ndryshme mjekësore, ndërkohë që ligjërues eminent nga institucionet bashkë-organizuese të këtij simpoziumi kanë këmbyer eksperiencat lidhur me rolin e imazherisë në diagnostikimin dhe trajtimin e traumave të ndryshme.

Në panelin diskutues ka marrë pjesë edhe Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani i cili ka theksuar se traumat si problem shëndetësore janë duke u ngjitur gjithnjë e më lart në listën e problemeve shëndetësore me të cilat ballafaqohet sot shëndetësia në botë dhe se nga to, llogaritet se në çdo minutë vdes një qytetar evropian, ndërkohë që te një numër i madh njerëzish, kryesisht të rinj shkakton edhe invaliditet dhe pasoja.

“Kjo shkakton edhe humbje ekonomike për sistemet shëndetësore, duke marrë parasysh reflektimin e tyre në humbjen e fuqisë punëtore dhe të produktivitetit”, tha Ministri Rrahmani.

Ai tha se para çdo ekzaminimi me tomografi të kompjuterizuar (CT) duhen marrë parasysh disa aspekte: trajtimin e shkaktarit që shkakton vdekjen; pacienti me traumë duhet menaxhuar nga një ekip multi-disiplinar; nevoja e zhvillimit të profesionistëve të traumatologjisë dhe mjekësisë emergjente; ndërkohë që theksoi se ekzaminimet me CT kanë rritur aftësinë e klinicistëve për të diagnostikim më të shpejtë dhe njohje të shkallës së dëmtimit gjatë traumave.

Theks të veçantë Ministri tha se duhet kushtuar analizës së avantazheve dhe dis-avantazheve të ekzaminimit me CT para trajtimit të çdo pacienti, ndërkohë që tërhoqi vëmendjen edhe për racionalizimin e CT ekzaminimeve, sidomos në frymën e implementimit në të ardhmen të sigurimeve shëndetësore, përkatësisht kosto-efektivitetit të këtij shërbimi.

Në panel me diskutimet e tyre kanë kontribuar edhe profesorët dhe eskepertët mjekësorë si David Trost, Mario Prodomin, si dhe ekspertë vendorë të fushave mjekësore si Arsim Morina, Nexhmedin Shala, Serbeze Kabashi, Bujar Gjikolli, Ilir Ahmetxhekaj, Valbon Krasniqi, etj.

Në simpozium kanë marrë pjesë mbi 200 profesionistë të fushave të ndryshme mjekësore.