Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

IKSHP dhe UNICEF-i prezantojnë studimin lidhur me ushqyeshmërinë e shtatzënave dhe fëmijëve shkollor në Kosovë

 

Gjendja e ushqyeshmërisë së shtatzënave dhe fëmijëve të moshës shkollore në Kosovë

UNICEF-i dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) botojnë hulumtimin për gjendjen e ushqyeshmërisë së shtatzënave dhe fëmijëve të moshës shkollore në Kosovë.

Publikimi zyrtar i këtij hulumtimi do të bëhet më 31 mars 2010, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike prej orës 10:00 deri në 11:30. (Rendi i ditës është i bashkëngjitur)

Mediat janë të ftuara të marrin pjesë

Ushqyeshmëria e dobët është një shkak i rëndësishëm për gjendjen joadekuate shëndetësore në Kosovë. Sipas hulumtimit për gjendjen e ushqyeshmërisë së shtatzënave dhe fëmijëve të moshës shkollore në Kosovë, i cili është mbështetur nga UNICEF-i, 15,7 % e fëmijëve të moshës shkollore janë identifikuar të vuajnë nga anemia e butë. Anemia ishte e pranishme në 23.0% të grave shtatzëna, duke theksuar kështu një problem të konsiderueshëm të shëndetit publik. Për të vlerësuar gjendjen e ushqyeshmërisë së fëmijëve, hulumtimi ka matur gjatësinë e secilit fëmijë duke i krahasuar ato me standardet e OBSH-së dhe ka konkluduar që 15.5% e fëmijëve kanë qenë të dobët në zhvillim, ndërsa 4.7 % kanë qenë tejet të dobët në zhvillim.

I njëjti hulumtim ka gjetur që praktika aktuale e furnizimit të kripës së jodizuar është duke siguruar gjendje adekuate të ushqyeshmërisë së jodit, jo vetëm tek fëmijët e moshës shkollore, por edhe tek gratë shtatzëna. Ky është rezultat i shquar, pasi që do të kontribuojë në eliminimin e çrregullimeve të mungesës së jodit në përgjithësi.  

Miliona fëmijë vuajnë nga defiçiencat e mikro-ushqyesve – kur trupit i mungojnë minerale qenësore – jodi, hekuri dhe zinku – si dhe vitaminat – vitamini A, folatet. Këto mungesa janë faktorët më të shpeshtë dhe më seriozë të rrezikut shëndetësor në botë. Çdo vit, kequshqyeshmëria përfshihet në rreth 40% të 11 milionë fëmijëve të vdekur nën moshën 5-vjeçare në vendet në zhvillim. Kequshqyeshmëria me mikro-ushqyes kontribuon në një qark vicioz të shëndetit të dobët dhe produktivitetit të ulur, duke i kurthuar familjet në varfëri si dhe duke shkatërruar sigurinë ekonomike në dhjetëra vende në gjithë botën.

Mungesat e jodit mund të çojnë drejt dëmtimeve serioze mendore apo fizike, ato të hekurit në anemi që rrezikon jetën apo ul produktivitetin, mungesa e vitaminës A në verbëri apo në sistem të dobësuar imunitar, ndërsa mungesa e folateve në peshë të ultë në lindje apo defekte të lindjes siç është spina bifida.

Z. Johannes Wedenig, Shef i Zyrës së UNICEF-it thotë që ‘Kequshqyeshmëria është edhe shkak edhe pasojë e varfërisë.  Ushqyeshmëria e fëmijëve dhe mirëqenia e tyre janë themeli i një shoqërie të shëndoshë e produktive. Derisa ekzistojnë rezultate të konsiderueshme që janë arritur në eliminimin e çrregullimeve për shkak të mungesës së jodit në Kosovë, është po aq me rëndësi të adresohen problemet si anemia dhe defiçiencat e acidit folik. Kjo gjë mund të arrihet me një masë tejet efektive të njohur si pasurimi i miellit me acid folik dhe hekur.’

Niveli i anemisë për shkak të mungesës së hekurit të shënuar tek gratë dhe fëmijët është problem jo vetëm për shëndetin publik, por paraqet humbje të konsiderueshme aktuale dhe të ardhme ekonomike për Kosovën. Masat e thjeshta, efektive dhe me efekt të madh, si pasurimi i miellit, mund të sigurojnë përmirësimin e gjendjes së ushqyeshmërisë së grave shtatzëna dhe fëmijëve. Humbja vjetore ekonomike për shkak të mungesës të hekurit dhe acidit folik vlerësohet në rreth 10.4 milionë Euro. Pasurimi vjetor i miellit me hekur e acid folik vlerësohet në 0.53 milionë Euro, derisa përfitimi i mundshëm në kosto do të ishte 9.87 milionë Euro.

UNICEF-i, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Bujqësisë, IKSHP-në, si dhe Grupin Punues për çrregullimet për shkak të mungesës së jodit është duke mbështetur një sërë masash për të luftuar defiçiencat e mikro-nutrientëve. Masat e tilla përfshijnë hartimin e Ligjit mbi pasurimin e miellit si dhe implementimin efektiv të tij.

Veglat tjera kyçe në përpjekje për të luftuar mungesat e mikro-ushqyesve përfshijnë: një dietë adekuate, e cila përfshin të ushqyerit me gji menjëherë dhe ekskluzivisht për gjashtë muajt e parë, si dhe të ushqyerit me gji të vazhduar, kurse ushqime shtesë në përputhje me moshën. Të tjera masa janë konsumimi i mikro-nutrientëve, parandalimi dhe trajtimi i sëmundjeve si dhe kujdesi i duhur ndaj fëmijës dhe praktikat e duhura të ushqimit.

Agjenda e  takimit:

10:00 – 10:30      Mirëseardhja dhe fjalimet përshëndetëse
                          Prof. Dr. Alush Gashi – Ministër i Shëndetësisë
                          Ztr. Johannes Wedenig, Shef i Zyrës së UNICEF-it
                          Prof. Dr. Naser Ramadani – Drejtor i IKSHP-së
                          Ztr. Pierre Weber – Përfaqësuesi i Qeverisë së Luksemburgut

10:30 – 11:00     Rezultatet e studimit për gjendjen nutritive të shtatzënave dhe fëmijëve të moshës shkollore – Prof. Dr. Tahire Maloku – Gjergji, Drejtoreshë e Departamentit për Ekologji Humane, IKSHP

11:00 – 11:15      Pasurimi i miellit me acid folik dhe hekur, praktikat për të parandaluar aneminë dhe defektet e lindjes – Dr. Agron Gashi, Udhëheqës i programit për shëndetësi dhe nutricion, Zyra e UNICEF-it në Kosovës

11:15 – 11:30      Pyetje / Diskutime

11:30 – 12:30       Koktej