Republika e Kosovës

Ministria e Shëndetësisë

IKSHP prezanton rezultatet e hulumtimit për praktikat e punëtorëve shëndetësor në KPSH dhe shëndetin e foshnjave

Promovimi i fillimit të hershëm të ushqyerjes me gji ka potencial për të dhënë një kontribut të madh në arritjen e objektivit zhvillimor të mijëvjeçarit, respektivisht në zvogëlimin dhe parandalimin e vdekshmërisë së foshnjave dhe fëmijëve të vegjël 0-24 muaj.

 Prishtinë, 8 dhjetor 2014

 

Promovimi i gji-dhënies është një strategji kyçe për mbijetesën e fëmijëve. Promovimi i fillimit të hershëm të ushqyerjes me gji ka potencial për të dhënë një kontribut të madh në arritjen e objektivit zhvillimor të mijëvjeçarit, respektivisht në zvogëlimin dhe parandalimin e vdekshmërisë së foshnjave dhe fëmijëve të vegjël 0-24 muaj.

Kështu u tha sot në Prishtinë në prezantimin e rezultateve finale të hulumtimit: Njohuritë, qëndrimet, praktikat e punëtorëve shëndetësor të Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe nënave për ushqyerjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, që u bë nga profesoresha Merita Berisha, udhëheqëse e Observatorit për shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe të rinjve (IKSHP).

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Ferid Agani , tha se ky hulumtim mbështetet në prioritetet e MSh-së nga Strategjia Sektoriale Shëndetësore e cila i jep rëndësi të veçantë shëndetit të nënës dhe fëmijës. Gjithashtu, tha Ministri Agani, hulumtimi tregon se IKSHP ka potenciale të mëdha për analiza e hulumtime të rëndësishme, ndërsa institucioneve dhe profesionistëve u mbetet që të gjeturat e hulumtimeve t’i shndërrojnë në aktivitete praktike për përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Dr. Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së, tha se hulumtimi paraqet të dhëna relevante për shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe në realizimin e tij kanë ndihmuar OBSH me mbështetjen edhe të Qeverisë së Luksemburgut.

Dr. Skënder Syla, shef i OBSH-së në Kosovë tha se hulumtimi paraqet një bazë për dizajnimin e programeve intervenuese të politikë-bërësve dhe punëtorëve shëndetësor me qëllim që të zvogëlohet hapësira në mes praktikave aktuale të gji-dhënies dhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Dr. Merita Berisha (IKSHP), tha se synim i hulumtimit është që të përmirësohet dhe avancohet gjendja shëndetësore e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël përmes përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore pas vlerësimit të nevojave në terren.  “Për mostër janë përzgjedhur 500 punëtorë shëndetësor të KPSH-së, prej të cilëve 335 infermierë dhe 165 mjekë në nivel Kosove, me nivel të besueshmërisë prej 95%, diferencë të pranueshme prej 5%, prevalencë të pritshme të njohurive prej 50% dhe efekt të mostrës në stratume prej 1.5”, ka shpjeguar profesoresha Berisha.

Nga 500 intervista të realizuara me nëna në rajonet e Pejës, Gjakovës, Mitrovicës, Ferizajt, Gjilanit, Prizrenit dhe Prishtinës, ka rezultuar se njohuritë e punëtorëve shëndetësor për gji-dhënien janë të kënaqshme dhe pa dallim sinjifikant sipas thirrjes; njohuritë deri diku janë të kënaqshme sa i përket  definimit të Menaxhimit të Integruar të Sëmundjeve të Fëmijërisë-MISF-in; Praktikat janë treguar të kënaqshme dhe pa dallim sinjifikant mes mjekëve dhe infermierëve sa i përket këshillimit të  grave për gji-dhënie menjëherë pas lindjes. Gjithashtu, janë vlerësuar si të mira njohuritë e nënave për fillimin e gji-dhënies pasi që  mbi 90.0% e nënave të përfshira në hulumtim kanë dhënë përgjigje të saktë pa dallim sinjifikant sipas moshës dhe përgatitjes shkollore, derisa janë gjetur edhe segmente ku njohuritë duhet të përmirësohen ndjeshëm si praktikat e punëtorëve shëndetësor rreth monitorimit të rritjes së fëmijës 0-5 vjet, plotësimit të fletoreve të foshnjave, përmirësimin e njohurive të nënave për vaksinat e marra nga fëmijët, etj.